Operacionet estetike sa janë të sigurta

Ndërhyrjet e kirurgjisë plastike shoqërohen gjithmonë me rreziqe, madje shumë të mëdha nga ato që mund të imagjinohen. Ja gjërat që duhet të dini (dhe të pyesni mjekun) para se t’i drejtoheni “thikës”

Ndonjëherë operacionet plastike mund të kushtojnë shtrenjtë dhe jo vetëm në termat ekonomikë. Mastoplastikë, “liposuzione”, “botox”, “filler” ose “acid ialuronik”, të gjitha janë ndërhyrje që po të mos kryhen nga duart e një eksperti ose në ambiente të papërshtatshme, mund të rëndojnë gjendjen shëndetësore fizike dhe atë psikologjike.

Ata që kanë ngritur alarmin janë një grup doktorësh, që janë në interes të pacientëve. Ata kanë bërë të ditur se nuk do të dorëzohen derisa të përcaktohet seriozisht roli i kirurgjisë estetike, si dhe operacionet të kryhen në vendet e posaçme.

Të ndryshosh pamjen është kthyer në imperativin e kohës moderne. Edhe nëse ndihemi të bukur ose jo, dëshirojmë të kalojmë një herë nga dora e kirurgut plastik për të përmirësuar ndonjë defekt të lindur, gjë që koha nuk mund ta riparojë. Në bazë të kërkesave që pacientët kanë, operacionet konsiderohen në relativisht të lehta dhe të vështira. Shprehja “Që të bëhesh e bukur duhet të vuash”, është plotësisht e përshtatshme për të ilustruar pacientët, sidomos femra (por është rritur edhe numri i meshkujve, të cilët u nënshtrohen operacioneve të tilla). Hyjnë me dëshirën për t‘u bërë të bukura, për të ndryshuar një hundë të madhe dhe me formë të shëmtuar, buzët e holla, gjoksin e vogël dhe të paformë e deri te tendosja e rrudhave, apo heqja e dhjamit të tepërt për zonjat.

Operacionet plastike mund të dalin shumë të suksesshme, nëse bëhen nga profesionistë të vërtetë, të cilët kanë eksperiencë, por ndër to nuk përjashtohet edhe dështimi, që është pjesë përbërëse e një operacioni. Procedurat kozmetike (ose estetike) rregullojnë ato pjesë të trupit me të cilat personi nuk është i kënaqur. Procedura të tjera kozmetike përfshijnë rritjen ose zvogëlimin e gjoksit, riformimin e hundës (e njohur si rinoplastikë), si dhe heqjen e dhjamit të tepërt nga pjesë të ndryshme të trupit (liposucioni).

Problemi i sigurisë në kirurgjinë plastike preket nga mediat sa herë që verifikohet ndonjë incident i rëndë. Por harrohet menjëherë nga informacioni dhe opinioni publik, sapo pllakos një valë emotive e shkaktuar nga fakti i kronikës së momentit. Shembulli i fundit mjaft i përfolur është ai i vitit 2009 kur Solange Magnano, ish “Miss Argjentina”, humbi jetën pasi i ishte nënshtruar një operacioni të kirurgjisë plastike. Vajza ia kishte besuar trupin dhe jetën një mjeku jospecialist i cili i ka injektuar silikon të lëngshëm në gjoks, gjë e cila është rreptësisht e ndaluar kudo.

Por si t’ia bëjmë për të realizuar ëndrrën që të dukemi më të bukura, pa rrezikuar jetën dhe pasi të ketë përfunduar ndërhyrja të mos dukemi më të shëmtuara se më parë? Gjëja e parë që duhet të bëjmë, kur vendosim t’i nënshtrohemi një operacioni të kirurgjisë estetike, është t’ia besoni veten një mjeku të specializuar. Të zgjidhni një doktor të zotin nuk është aq e thjeshtë sa mund të duket. Arsyen e përsëritëm edhe pak më parë.

“Në vendet perëndimore çdo personi të diplomuar në mjekësi i lejohet të operojë dhe nuk kërkohet specializim në kirurgjinë plastike, pasi pandehet se një doktor i ardhshëm bën pesë vite shkollë bashkë me specializimin”, thotë një doktoreshë e kirurgjisë plastike, më pas shton: “Pacientët nuk janë në dijeni të këtyre informacioneve parësore dhe kur bien në duart e një mjeku i cili e quan veten ekspert, mendojnë se mund t’i besojnë, por asnjëherë nuk marrin garanci”. Por kjo nuk është e gjitha. Shpesh rreziqet e kirurgjisë minimizohen nga mesazhet e reklamave, të cilat duan t’i transmetojnë publikut mesazhin që të bësh një operacion plastik është gjëja më e thjeshtë në botë, njësoj si të shkosh në një sallon bukurie.

Gjatë viteve të fundit është regjistruar një rritje e numrit të mjekëve jospecialistë, të cilët praktikojnë kirurgjinë estetike, ndoshta me mjete të reduktuara, pa pasur kompetencë për çështjet e kësaj fushe dhe e quajnë veten specialistë ose ekspertë të materies vetëm për faktin se kanë marrë pjesë në ndonjë kurs ose kanë bërë një master.

Mund të ndodhë që një mjek jospecialist të injektojë çdolloj produkti sipas dëshirës së tij pa asnjë garanci sigurie dhe në mungesë të normës më elementare të higjienës ose sterilitetit për t’i marrë paratë pacientit të turnit. Për t’u vënë frerë atyre sharlatanëve që operojnë pa pasur kompetencë, disa shoqëri europiane të kirurgjisë plastike (në Austri, Belgjikë, Holandë dhe Itali) kanë marrë iniciativën për të krijuar standarde europiane për kirurgjinë plastike dhe estetike. Standarde të cilat para se të bëhen ligje europiane duhet të aprovohen nga KEN (Komiteti Europian për Standardizim), nga Shoqëritë Kombëtare të Kirurgjisë Plastike dhe në fund nga Parlamenti Europian.

Deri atëherë, para se t’i nënshtroheni çdolloj ndërhyrjeje të kirurgjisë estetike ose plastike, këshilla është të verifikoni gradat shkencore të doktorit i cili ju merr përsipër që t’ju operojë. Gjithashtu, nuk duhet të harroni që ai ka për detyrë edhe t’ju informojë edhe për rezultatet e ndërhyrjes. Për kirurgun estetik detyrë do të thotë, përveç sugjerimeve të rreziqeve të mundshme që ju kanosen nga ndërhyrja, t’iu bëjë të ditur edhe pasojat e operacionit, pasi pacienti dëshiron më të mirën për veten dhe jo gjithmonë rezultati është ai që keni shpresuar./Gazeta Shqip/