Për një makiazh që të ndryshon

Specialistët e makijazhit vazhdojnë të këmbëngulin edhe për këtë sezon të ri se pavarësisht nga llojet që janë në modë, gjithsecila duhet të kërkojë ato që i përshtaten më mirë me ngjyrën e lëkurës, karakteristikat e fytyrës dhe qëllimin e daljes.

Në asnjë mënyrë nuk duhet që llojet e ndryshme të makijazhit të përdoren njëlloj si tregohen.

Më e saktë është të vini mbi to pak nga eksperienca vetjake e përditshme. Pamë, veçuam dhe po ju paraqesim llojet më të fundit dhe më të mirat e makijazhit botëror. Por natyrisht, i kemi shoqëruar ato me këshilla praktike, të zgjuara.
Vijëzimi i syve, i domosdoshëm

Ndikimi i modës së viteve ‘50 dhe ‘60-të në makijazh është i padiskutueshëm. Vija tepër seksi në ngjyrë të zezë në cepin e jashtëm të qerpikëve do të jetë dominuese edhe sivjet. Profesionistët e kësaj fushe do të veçohen nga njëri-tjetri vetëm për shkak të trashësisë apo hollësisë së vijës si dhe kombinimit të tyre me tone të ndryshëm në qepallë.

Për çfarë keni nevojë: Vijëzues klasik në ngjyrë të errët me penel, lapsa-stilolaps të bashkuar me penel ose edhe një laps i prerë mirë nëse nuk keni shumë eksperiencë.

Nëse nuk keni realizuar kurrë vijë të tillë, fillimisht bëni disa prova për të gjetur mënyrën më të mirë dhe të lehtë për të hequr vizën.

Për të patur më shumë ekuilibër mbështeteni bërrylin diku në një vend të qëndrueshëm.
Vështrim shumëngjyrësh

Ngjyra bëhet protagonist në makijazhin e syve. Ndërsa lapsat e shumëllojtë si dhe tonet u japin atyre gjallëri dhe “emër” në vështrim. Ngjyrat-çelës të këtij sezoni janë: e verdha, roza, portokalli, bojëqielli dhe e gjelbërta. Për çfarë keni nevojë: Tone dhe lapsa me ngjyra të ndritshme që përçojnë idenë e metalit.

Luani me një, dy por edhe tri ngjyra të ndryshme, sidomos gjatë shëtitjeve të mbrëmjes. Ndërsa qerpikët i mbushni me shumë rimel. Guxoni të përdorni vijëzues sysh me një ton të vetëm në qepalla.

Në përfundim, do të dukeni tepër tërheqëse por edhe shumë shik. Në përgjithësi, ngjyrat që vendosni në qepalla duhet të kombinojnë me veshjen tuaj.

Komento