Personat me aktivitet të rregullt trupor kanë telomere më të gjata

Që më herët është e ditur se personat të cilët rregullisht merren me aktivitet fizik, në pleqëri janë më të shëndoshë. Mirëpo, me anë të një studimi të ri, shkencëtarët kanë arritur ta shpjegojnë këtë në baza molekulare.

Duke analizuar qelizat e personave që nuk ushtrojnë dhe atyre që merren me aktivitet fizik, është vërejtur dallimi në gjatësinë e telomereve (ose mbaresat e molekulave të ADN-së në kromozome).

Në fakt, secilën herë kur qeliza replikohet (kopjohet, përsëritet), telomeret shkurtohen. Kur ato bëhen tepër të shkurtra, qeliza nuk mund të ndahet më shumë dhe vdes.

Shkencëtarët besojnë se shkurtimi i telomereve, ka një rol vendimtar gjatë plakjes, ashtu që i bën njerëzit më të ekspozuar ndaj sëmundjeve të tilla, si ato kardiovaskulare, diabeti dhe karcinoma.

Në studimin e botuar në revistën Circulation, është treguar se personat me aktivitet të rregullt trupor kanë telomere më të gjata, në krahasim me personat joaktivë fizikisht, gjë që sjell deri te përmbyllja se ‘aktiviteti trupor ndihmon në zgjatjen e jetës’.

Komento