Pesë mijë hapa në ditë, për jetë më të gjatë

Vetëm 5 mijë hapa në ditë do t’iu mjaftonin për të përgjysmuar rreziqet nga vdekja.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, secili prej nesh duhet të ecë të paktën 3 kilometra në ditë për të shmangur një mori sëmundjesh dhe për t’u ndjerë i shëndetshëm, duke rritur mundësinë për të jetuar më gjatë. Për më tepër, në këtë mënyrë do të kursenit edhe rreth 700-800 euro benzinë në vit, duke lënë veturën në garazh.

Llogaritet që jetesa sedentare shkakton vdekjen e rreth 600 mijë njerëzve në vit në Evropë dhe konsiderohet si një nga 10 shkaqet kryesore të vdekshmërisë dhe paaftësisë fizike në botë. “Diabeti, kardiopatitë, hipertensioni, kanceri, osteoporoza janë sëmundjet kronike që më së shumti godasin ata që kanë një stil jetese sedentare”, shpjegon Claudio Cricelli, president i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Përgjithshme për gazetën italiane La Stampa, transmeton Ikub.

Mjekët këshillojnë për të gjithë ata që e shohin jetën të pandashme nga automjeti që të bëjnë përditë një shëtitje të shëndetshme. Kjo për arsye se aktiviteti fizik ndihmon edhe kundër traumave të vogla e të herëpashershme të shëndetit. Por, përveç aktivitetit fizik, mjekët këshillojnë edhe një ushqim të shëndetshëm. “Shëndeti, në fakt, ruhet mbi të gjitha në tryezë, duke nisur që fëmijë. Modeli tradicional mesdhetar i të ushqyerit konsiderohet sot ndër më efikasi për parandalimin e sëmundjeve, por edhe ndër më të larmishmit dhe të balancuarit”, ka përfunduar specialisti.

Komento