Pije qe rrisin me 20 % rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Një studim i realizuar në SHBA tregoi se konsumimi i një kanoçeje në ditë me pije që përmban sheqer, rrit me 20 % rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut.

Në studimin e realizuar nga Universiteti prestigjioz i Harvard me mbi 43 mijë meshkuj të grupmoshave 40-75 vjeç dhe të publikuar në revistën mjekësore amerikane “Circulation” bëhet e ditur se konsumimi i një kanoçeje me pije energjike apo pije me sheqer në ditë rrit me 20 % rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës në krahasim me personat që nuk konsumojnë fare apo konsumojnë më pak.

Faktikisht studimi është zhvilluar mbi konsumin e rregullt dhe të vazhdueshëm të pijeve të cilat përmbajnë sheqer si pijet e gazuara apo ato energjike. Rezultatet e studimit tregojnë se shoqëria dhe veçanërisht personat e sëmurë duhet të ulin ndjeshëm konsumin e pijeve me përmbajtje sheqeri.

Personat të cilët konsumojnë një të tretën e një litri me pije të tilla rrezikohen nga sëmundjet e zemrës. Këto pije te shoqëruara edhe me cigare ose alkool bëhen edhe më të rrezikshme. Studimet tregojnë se personat të cilët konsumojnë vetëm dy kanoçe në javë apo më pak, janë më pak të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës.

Komento