Piramida e ushqimit

Pemët dhe perimet

Pemët dhe perimet janë burim vital i vitaminave dhe i mineraleve. Duhen të hahen pesë porcione të pemëve dhe perimeve në ditë. Ushqimi në këtë grup është burim i shkëlqyer i vitaminave C, fibrave, kaliumit dhe antioksidanteve.
Pemët dhe perimet janë hapi më i rëndësishëm në mbajtjen e të ushqyerit të shëndetshëm dhe të balancuar dhe duhen të jenë pjesë themelore e ushqimit.

Buka, orizi, patatja, pasta
Buka, drithërat, patatja dhe pastat janë pjesë e rëndësishme e ushqimit të shëndetshëm. Janë burim i mirë i energjisë dhe burimi kryesor i materieve ushqyese në të ushqyerit tonë. Ky ushqim është karburant për trup.

Mishi, peshku, vezët dhe bimët bishtajore
Këto ushqime janë burim i mirë proteinash, që janë të domosdoshme për rritjen dhe ripërtëritjen e organizmit. Ato janë po ashtu burim i mirë i vitaminave dhe  i mineraleve.
Rreth 15 për qind e kalorive që i hamë çdo ditë duhen të vijnë nga proteinat.
Mishi është burim i mirë  proteinash, vitaminash dhe mineralesh, siç janë hekuri, zinku dhe vitamina B. Po ashtu janë një nga burimet kryesore të vitaminës B12.
Peshku është një burim tjetër i rëndësishëm i proteinave, ndërsa përmban shumë vitamina dhe minerale. Peshku i kaltër është veçanërisht i pasur me acide yndyrore omega 3.
Vezët dhe bimët bishtajore janë po ashtu burim i madh i proteinave. Për dallim nga mishi, bimët bishtajore përmbajnë më pak yndyra dhe shumë fibra.

Qumështi dhe produktet e qumështit
Qumështi dhe produktet e qumështit si djathi dhe jogurti janë burim i mirë proteinash. Ato po ashtu përmbajnë kalcium, i cili ndihmon në mbajtjen e eshtrave të shëndeteshëm.
Por, disa produkte qumështore përmbajnë nivele të larta të yndyrave të ngopura. Për së tepërmi yndyra te ngopura mund të rrisin nivelin e kolesterolit në gjak dhe të rrisin rrezikun nga sëmundjet e zemrës. Përdorni qumësht të skremuar, djathëra më pak të yndyrshëm dhe jogurt me yndyrë të ulët.

Yndyrat, vajrat dhe sheqernat
Yndyrat dhe sheqernat janë burime të mira të energjisë për trup, por përmbajnë shumë kalori. Nëse konsumohen shumë, mund të çojnë deri tek shtimi në peshë. Kjo mund të çojë te trashja, çka rrit rrezikun nga diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe disa lloje të kancerit.

Komento