Po humbas kujtesën?!

Po humbas kujtesën?!Në rast se nuk ju kujtohet se ku i keni vendosur syzet, është më se normale nëse jeni në moshë të thyer. Nëse harroni se mbani syze, ndoshta vuani nga demenca.

Çrregullime, si sëmundja e Alzheimerit, që është shkaktare e dy të tretave të rasteve të demencës, nuk përbëjnë shembullin ekstrem të asaj që mund të ndodhë me plakjen. Megjithatë, përfshijnë përkeqësimin e zonave të veçanta të trurit bashkë me simptoma që s’shfaqen asnjëherë te plakja normale. Njerëzit me demencë të zhvilluar s’arrijnë të kujtojnë ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre; madje, mund të mos njohin as bashkëshortët apo fëmijët.

Faktori më i rëndësishëm i rrezikut të Alzheimerit është thjesht mosha. Mundësia për ta ndeshur këtë sëmundje dyfishohet çdo pesë vjet pas të gjashtëdhjetave, duke kapur shifrën e gjysmës së njerëzve, që janë tek të nëntëdhjetat.
Faktorët gjenetikë luajnë rol kryesor në rrezikun ndaj demencës, sidomos në moshë të thyer. Rreth një duzinë gjenesh janë identifikuar si faktorë rrezikues apo mbrojtës, mirëpo njëri prej tyre, gjeni ApoE, luan një rol më të madh se gjithë të tjerët të marrë së bashku.

Por disa funksione të trurit nuk ndikohen shumë nga mosha. Njohuritë verbale dhe të kuptuarit ruhen, madje edhe mund të përmirësohen me kalimin viteve. Aftësitë profesionale janë mjaft të qëndrueshme, veçanërisht nëse praktikohen. Po ashtu, ata që praktikojnë rregullisht aftësitë fizike, e kanë më të lehtë të mos i humbasin këto aftësi profesionale.

Në përgjithësi, gjithçka që mësojmë me themel kur jemi të rinj ka shanse të mira të ruhet në moshë të thyer.

Komento