Prodhohet një pilulë kundër plakjes së lëkurës

Studiuesit kanë arritur të prodhojnë një pilulë me ndihmën e së cilës në mënyrë dramatike mund të ngadalësohet plakja e lëkurës, shkruan gazeta “Sunday Times”.

Pilulën e kuqe të ëmbël, e madhësisë sa një bonbone Smartie, për të cilën gjatë testimi është konstatuar se e ngadalëson paraqitjen e rrudhave në lëkurë, e kanë zbuluar studiuesit nga kompanitë e mëdha Nestle dhe L’Oreal.

Duke kombinuar njohuritë e ekspertëve të ushqimit dhe dermatologëve, ata kanë përdorur një substancë e cila gjendet në domate, për të përmirësuar rigjenerimin e qelizave të reja dhe për t’i mbrojtur ato të vjetrat nga veprimi i dëmshëm i rrethit.

Kjo pilulë kundër rrudhave i takon klasës së prodhimeve në rritje që njihen si kozmeceutikale, që veprojnë në lëkurë nga brenda. Prodhuesit shpresojnë se shija e ëmbël e pilulave do të ndihmojë që blerësit e ardhshëm të mos e përjetojnë atë si ilaç.

Pilulat, që quhen “Inneov Fermete”, tashmë janë lëshuar në shitje në disa pjesë të Evropës dhe Amerikës së Jugut.

Komento