Pse kemi gjithmonë uri?

Pse kemi gjithmonë uri?Uria është gjithnjë e pranishme dhe e gatshme për t’ju kapur në momentet më të papërshtatshme.

Por, cilat janë arsyet e vërteta që shkaktojnë oreksin?
A ju duket shpeshherë se ndjesia e urisë është pas dere?

Për shembull, si të jetë ora tre e mëngjesit ose katër e pasdites pak rëndësi ka, trupi juaj ka nevojë që të konsumojë ushqim për të qetësuar urinë nervore dhe për të mbushur boshllëkun që ka në stomak. Por nëse do të dinit me saktësi se çfarë duhet të hani ose cilat ushqime duhet të shmangni, a do të mund të njihni arsyet e oreksit të madh?

Pa dyshim, humori është një nga faktorët që ndikon më shumë në oreksin tuaj: ka nga ata që hanë shumë kur janë nervoz, por ka edhe nga ata që e ndiejnë pashmangshmërisht nevojën për të konsumuar çdo lloj ushqimi kur janë të lumtur. Nuk ka rëndësi ndjenja e ngopjes, por fakti se gjendja juaj shpirtërore ju shtyn që të hani: në më të shumtën e rasteve hani ushqim të keq (fast food), atë që keni më pranë “kthetrave” tuaja. Ndaj më mirë është që me vete (në punë, shkollë e aktivitete të ndryshme) të mbani fruta ose ndonjë snack të lehtë për të qenë të sigurt që të ruani linjat.

Edhe koha ndikon në ndjenjën e urisë: në ditë të ftohta dhe të zymta, me siguri do ta keni vënë re se fryheni duke ngrënë thjesht sepse jeni të qetë, pasi kilogramët e tepërt mund t’i fshihni poshtë rrobave të trasha të dimrit.

Ndërkohë te disa femra, cikli menstrual është në gjendje që të rrisë shumë ndjenjën e urisë: dihet se humori gjatë atyre ditëve është më se i luhatshëm dhe shpesh ju ndodh që të hani menjëherë ëmbëlsira ose çokollatë, por edhe pica, pite etj. Për rrjedhojë, pas menstruacioneve i gjithë ushqimi që hani me gjithë qejf do të shkojë në formën e dhjamit në ije dhe në kofshë.

Për të mos u nënvlerësuar janë edhe momentet e ditës: shpesh vaktet kryesore prishen, sepse ju nuk i rezistoni ngrënies së diçkaje para tyre, por uria mund t’ju godasë edhe kur shkoni për të bërë pazare ose thjesht duke shfletuar librin e recetave.

Kultura dhe sfondi gjithashtu kanë efekt në preferencat ushqimore. Ajo që ju është dhënë për të ngrënë gjatë fëmijërisë formon preferencën tuaj në ushqim. Prandaj shumë njerëz nuk preferojnë të hanë ushqim të vendeve të huaja dhe parapëlqejnë ushqimin e vendit të tyre.

Si ta zgjidhni problemin e urisë?
Vështirësitë e përditshme, problemet në punë, në familje, çift, ju bëjnë nervoz dhe mbajtjen e një diete jua bëjnë pothuaj të pamundur. Si pasojë, rritet tensioni dhe shqetësimi, duke ju shtyrë drejt bukës dhe ushqimeve të tjera për të mpirë nervozizmin në rritje. Kështu filloni të hani gjithçka, pa u kufizuar më.

Duke iu rritur ndjenjat e fajit dhe të nënvlerësimit, ju shtohen edhe kilogramët: pas mëkateve të vazhdueshme ushqimore, është arsyeja ajo që ju shtyn që të ndreqni gabimet me dieta të reja që shkaktojnë frustrime të reja dhe shumë dëshirë për të ngrënë. Në këtë rast, për të frenuar të gjithë këtë, zgjidhja e vetme do të ishte prishja e këtij rrethi vicioz.

Për të arritur qëllimin duhet të bëni paqe me qetësinë dhe gabimet ushqimore, të mos e shtyni pas urinë, por ta kënaqni duke i zëvendësuar ushqimet e rrezikshme me pjata të shijshme, por të lehta.

Kur ndieni nevojën për ëmbëlsira apo ushqime të pashëndetshme, dilni për një ecje 15 minuta. Një studim ka treguar se njerëzit që kanë ecur përpara se të hanë çokollatë, kanë konsumuar gjysmën e kalorive më pak se ata që nuk kishin ecur.

Ndërkohë jo të gjitha ushqimet janë të njëjta dhe bëni kujdes në konsumimin e kalorive. Truku është që të gjeni ushqime që do t’ju ngopin më mirë me sasi më të vogla të kalorive. Ushqimi që ju ngop është ai i pasur me fibra dhe proteina si fasulet, patatet me lëkurë, produktet e arrave, kokoshkat, portokalli dhe supa.

Komento