Që çifti të mos kthehet në një “bombë” shpërthyese…

Për funksionimin e mirë të një lidhjeje mes një mashkulli dhe një femre ka shumë mënyra dhe sekrete: besnikëria, një mirëkuptim kimik seksual, një përkujdesje e vazhdueshme për marrëdhënien, shkëmbimi i përvojave.

Çfarë e bën të fortë një marrëdhënie? Kjo është një pyetje që është bërë prej shekujsh dhe vazhdon të bëhet edhe sot nga të gjithë ata që kanë një lidhje, apo nga ata që duan ta kenë në të ardhmen.

A ekziston një shkencë që quhet “martesë”? Një nga personat e fundit që e ka bërë këtë pyetje është një gazetare amerikane, që shkruan në një blog të “New York Times”.

Së fundi ajo ka shkruar një ese me titull: “Shkenca e një martese të mirë”. Dhe si në çdo rast, edhe këtë herë, gjithçka nis me pyetjen: cila është alkimia që mban ndezur një raport në çift edhe pasi kanë kaluar shumë vjet, madje dhjetëvjeçarë?

Sipas mendimit të disa biologëve është një gjen i posaçëm që gjendet në të gjithë partnerët që kanë arritur jetëgjatësi në marrëdhënie. Të tjerë, le të themi në këtë rast romantikët, janë të mendimit se një martesë e gjatë është e tillë për shkak të besnikërisë.

Ndërsa në shumicë, njerëzit përgjigjen se sekreti është një marrëdhënie seksuale e mirë edhe shumë vjet pas njohjes së parë. Këtë e konfirmon edhe një sondazh i fundit i kryer nga “Pew”, qendra e kërkimeve në Uashington, një organizatë e pavarur që bën kërkime dhe sondazhe në opinionin publik ndërkombëtar.

Në studimin e bërë për këtë qëllim, 90% e të intervistuarve janë të mendimit se besnikëria është një nga faktorët kryesorë që mundëson një martesë të gjatë dhe të shëndetshme, për 70% të të intervistuarve marrëdhëniet seksuale janë shkaku kryesor, ndërsa 60% e tyre mendojnë se ndarja e punëve në shtëpi është shumë e rëndësishme edhe për anët e tjera të marrëdhënies.

Po a ka sekrete të tjera? Jane Austen, në librin “Krenari dhe paragjykim”, shkruante se lumturia në një martesë është vetëm çështje fati, por psikologët dhe neuroshkencëtarët nuk janë në një mendjeje me të. Ata janë marrë kryesisht me studimin e rrënjëve psikologjike dhe kimike të tradhtisë, që është edhe një nga shkaqet më të shumta të mungesës së lumturisë së një marrëdhënieje që çon shpesh në prishjen e saj. Sipas tyre një marrëdhënie martesore e fortë dhe e shëndetshme do punë që të ndërtohet dhe të forcohet.

Sipas tyre, në momentin që pakësohet vrulli dhe nxehtësia e viteve të para, çifti që është më racional, duhet që të fillojë ndërtimin e një marrëdhënieje mbi bazën e respektit dhe besnikërisë reciproke dhe kjo kërkon punë të vazhdueshme, që shpeshherë afron me vetë artin dhe herë të tjera me shkencat ekzakte, apo me psikologjinë. Një martesë është një tërësi sfidash dhe kërkon një tërësi kundërpërgjigjesh dhe veprimesh.

Martesa është pjesa e lehtë e një marrëdhënieje, por ndërtimi i lumturisë është me të vërtetë sfida më e madhe dhe më e rëndësishme e një njeriu që ka zgjedhur të jetojë me një partner. Po si arrihet lumturia në dashuri? Sepse një dashuri jo gjithmonë mund të na bëjë të lumtur?

Sipas të madhit të letrave amerikano-latine, Jorges Luis Borges, një individ duhet që t’i ofrojë tjetrit anën më të mirë të qenies së tij, atë që shumë pak e njohim edhe vetë. Dhe çdo njeri ka një anë të brendshme që të mrekullon, vetëm se e nxjerrim në pah rrallë dhe veçanërisht kur jemi të dashuruar me një person.

Ndërsa për një profesor psikologjie, që merret me studimin e kompleksivitetit të marrëdhënieve në çift nga këndvështrimi biologjik (duke skanuar të gjitha aktivitetet trunore të dy partnerëve që janë në një marrëdhënie) çifti që arrin të funksionojë më mirë është ai që i jep liri dhe hapësirë njëri-tjetrit. Bëhet fjalë për një teori që ka të bëjë me vazhdimin e zhvillimit dhe të rritjes personale të një partneri, pavarësisht faktit se jeton me një tjetër.

Pra me një marrëdhënie që është në çift dhe individuale në të njëjtën kohë, një marrëdhënie që nuk e shtyp dhe shkatërron identitetin e çiftit dhe nuk ia merr frymën zhvillimit personal, ku partneri duke të lënë të lirë, shndërrohet edhe në stimuluesin më të mirë.

Ndërsa një dramaturge italiane, në një pjesë të saj teatrale, që ka në qendër marrëdhëniet e çiftit në kohët moderne, thotë se tashmë gratë nuk duan më që vetëm t’i marrin pluhurin pianos, por dhe t’i bien asaj. Në një çift të lumtur, apo që është në kërkim të lumturisë, liria e rritjes personale dhe respekti i kërkesave dhe sfidave të tjetrit është hapi më i rëndësishëm drejt suksesit dhe jetëgjatësisë.

Kjo sepse të gjithë para se të jenë një çift janë individë me rrugën e tyre personale të evolucionit, që nuk duhet të ndërpritet pse hyhet në një marrëdhënie, përkundrazi duhet të nxitet nga marrëdhënia. Vetë jeta në çift është një rrugëtim i dy personave të ndryshëm, por me qëllim të njëjtë: atë të të përmirësuarit, të të evoluuarit së bashku dhe si individë veç e veç.

Për të madhin Saint-Exupery, partneriteti, pra martesa ishte udhëtimi i dy personave që nuk shohin njëri-tjetrin, por së bashku shohin objektivin që e kanë të njëjtë.

Por veçoria në këtë rast është se ndërsa edhe me një shok mund të kesh një marrëdhënie të tillë pozitive dhe aspak egoiste, diferenca me partnerin qëndron tek fakti se me të ndan edhe kënaqësitë fizike dhe seksuale dhe kjo është një tjetër pikë e rëndësishme e çiftit.

Për shembull, çiftet nuk i japin rëndësi këtij aspekti, por të heqësh dorë nga të bërit në mënyrë cilësore të dashurisë është shpesh shkak për agresivitet, për pakënaqësi dhe në fund të fundit për kthimin e syve nga partneri te një person tjetër që mund të të japë një kënaqësi të tillë, që nuk e merr dot më në çift.

Sipas psikologëve “puna e lodhshme” për një çift fillon tre vjet pas njohjes, atëherë kur shumë aspekte të partnereve janë bërë të njohura për njëri-tjetrin. Është pikërisht ky momenti kur të dy partnerët duhet që të jenë të ndërgjegjshëm për fillimin e ndërtimit të një marrëdhënieje të re.

Ndër këshillat që jepen për arritjen e ndërtimit të një raporti të mirë në këtë fazë të bashkëjetesës, sipas disa psikologëve është fillimi i eksperiencave dhe njohjeve të reja, kuptohet në çift, pra “hedhja” në përvoja të reja që sjellin, së bashku me sfidën dhe kënaqësinë e një eksplorimi të ri.

Por janë të paktë ata çifte që e vënë një gjë të tillë në praktikë. Një pjesë e madhe nuk e kuptojnë se me kalimin e viteve të parë, rritet proporcionalisht rreziku i monotonisë, i cili nuk mund të luftohet duke ndenjur duarkryq, por duke marrë masa që kjo monotoni të ndihet sa më pak dhe të bëhet sa më pak “vrastare” e marrëdhënies që vazhdon.

Një raport mund të rifreskohet nëse të dy partnerët nisin që të bëjnë bashkë gjëra që nuk i kanë bërë më parë kur ishin të zënë me eksplorimin e njëri-tjetrit. Një sport i praktikuar bashkë është një veprimtari interesante për shembull. Ose darkimi në restorante që nuk janë të zakonshëm dhe që ofrojnë përvoja të reja kulinare.

Tashmë është një fakt i provuar që çiftet që kryejnë së bashku gjëra të reja dhe interesante dhe stimuluese janë më të lumtur. Le t’i rikthehemi gazetares dhe esesë së saj për shkencën e martesës. Sipas saj, çiftet që kanë jetëgjatësi më të madhe kanë të paktën pesë veprime që vazhdojnë t’i bëjnë, edhe pse kanë kaluar shumë vite së bashku: buzëqeshja, përkëdhelja, të bërit e komplimenteve në mënyrë të ndërsjellët, mbështetja në raste problemesh dhe të qenit në formë të mirë fizike para tjetrit.

Për të parë nëse një relacion do të jetë jetëgjatë, mjafton që të shohësh edhe mënyrën se si zihen dy partnerë, mënyra se si e trajtojnë njëri-tjetrin gjatë tre minutave të para të debatit është thelbësore mbi mënyrën se si do të shkojë në të ardhmen kjo marrëdhënie. Në këtë rast, një kritikë është shumë më e keqe se një ankesë.

Ndërsa dramaturgia italiane në dramën e saj të titulluar “Dy ndeshje” sjell në vëmendje dy breza grash që i rrëfejnë njëra-tjetrës ankthet, frikërat, xhelozitë dhe gjithë të fshehtat e jetës së tyre në çift. Dhe ajo që shumë gra arrijnë që të rrëfejnë është një ndjenjë vetmie të thellë, që kanë përjetuar shpesh gjatë martesave të tyre.

Kjo ndodhte zakonisht gjatë periudhave kur familja zgjerohet edhe me fëmijë dhe roli i prindërve bën që vëmendja ndaj partnerëve të zvogëlohet dhe pakësohet. Sigurisht që është një periudhë transformimi në marrëdhëniet në çift, që do shumë kujdes dhe vëmendje.

Madje në krahasim dhe diferencë mes brezit të sotëm dhe atij të mëparshëm, fëmija është një çështje jo më e domosdoshme dhe shumë çifte e planifikojnë vetë ardhjen në jetë të fëmijëve, duke qenë shpesh më të prirur për të gëzuar jetën e tyre dhe më pas vetëm nëse bien dakord, mund të sjellin në jetë një, ose maksimumi dy fëmijë.

Megjithatë bota e çiftit mbetet ende për t’u eksploruar, siç është edhe bota e individit dhe këshillat do të duheshin të jepeshin individualisht. Pavarësisht kësaj nuk duhet harruar kurrë që të gjithë e kemi në dorë të jemi çift, apo të jetojmë vetëm dhe se gjithçka fillon nga të menduarit mirë, para vendosjes së bërit të hapit të madh.

Komento