Qumështi i dhisë është mbrojtësi më i madh i shëndetit

Qumështi i dhisë, i cili është shumë më i ngjashëm me qumështin e nënës sesa të lopës, është një nga ushqimet më të shëndetshme në botë me veti të shumta shëruese.

Për vite të tëra, përveç në ushqim, ky qumësht është përdorur si ilaç për sëmundjet si bronkiti, luftimi i alergjive, forcimi i imunitetit, trajtimi dhe forcimi i mushkërive…

Hulumtimet kanë treguar se ky qumësht ka tretshmëri dhe rezistencë më të mirë se qumështi i lopës. Qumështi i dhisë përmban nivele të ulëta të alergjenëve, është një burim i shkëlqyer i alkalineve, shpejt tretet dhe absorbohet tërësisht, transmeton koha.net.

Një sondazh i kryer nga revista “International Journal of Food Science Nutrition” zbuloi se qumështi i dhisë në bazën e ADN-së ka ngjashmëri me strukturën e ADN-së së qumështit të njeriut, që është arsyeja se pse mund të përfshihet në formulat të cilat do ta përmirësonin ushqimin e foshnjave.

Me qumështin e dhisë janë arritur rezultate të mira në trajtimin e çrregullimeve të ndryshme tek njerëzit që vuajnë nga hiperproteinemia, sëmundjet e zemrës, epilepsia e fëmijëve, cistat fibroze, sëmundjet e biles dhe gurët në tëmth.

Qumështi i dhisë është i pasur me kalcium dhe fosfor, që janë të rëndësishëm për fortësinë e eshtrave, si dhe me zink dhe selen, antioksidantë të fuqishëm të cilët e ruajnë imunitetin e trupit. Shumë shkencëtarë ua rekomandojnë qumështin e dhisë personave që vuajnë nga anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit në gjak.

Ky qumësht është një burim i pasur i kalciumit të biodegradueshëm, hekurit, fosforit dhe magneziumit dhe i përmban ato në përqendrime të larta në krahasim me qumështin e lopës. Qumështi i dhisë përmban rreth 40 për qind më pak citrate në krahasim me qumështin e lopës.

Duke pasur parasysh faktin se dhitë e hanë lëvozhgën e bimëve, qumështi i tyre është i pasur me silic, ndërsa ai është një mineral i cili e ka një efekt pozitiv në lëkurë, flokë, thonj dhe në sistemin nervor.

Përmban shumë proteina të pasura me aminoacide të rëndësishme, një rrjet të gjerë të vitaminave dhe nuk ka yndyra që treten me vështirësi. Jo vetëm që tretet më lehtë se qumështi i lopës, por qumështi i dhisë përmban më pak laktozë, prandaj më lehtë mund ta tolerojnë personat e ndjeshëm ndaj laktozës.

Tek fëmijët të cilët janë ushqyer me qumësht dhie është shënuar një rritje më e shpejtë, masë më e madhe e trupit dhe mineralizim më i mirë i eshtrave në krahasim me fëmijët e ushqyer me qumësht të lopës.

Hirra, djathi dhe jogurti i dhisë janë agjentët më të fuqishëm natyrorë për ta rritur imunitetin tek fëmijët. Ata janë të rëndësishëm për formimin dhe përtëritjen e eshtrave, nxisin rritjen e traktit të tretjes, rekomandohen në parandalimin e sëmundjeve të mëlçisë, osteoporozës, presionit të ngritur të gjakut dhe kolesterolit të rritur, proceseve inflamatore dhe për përmirësimin e funksionit të punës së veshkave.