Rreth gjysma e njerëzve ëndërrojnë me sy çelë

Shumica e njerëzve nuk janë të përqendruar në punën që e bëjnë, e ata të cilëve mendimet u shëtisin më së shumti gjatë ditës, janë parë të jenë më të palumturit në mesin e të anketuarve

Rreth gjysma e njerëzve, kalojnë pjesën më të madhe të ditës duke menduar diçka tjetër në raport me atë që janë duke bërë, ka zbuluar një studim amerikan i bërë me anë të iPhone-it. Pjesëmarrësit në studim janë përgjigjur në pyetjet se çka bëjnë, a mendojnë për diçka tjetër, apo rreth asaj që janë duke bërë, si dhe sa janë të lumtur, ku disa janë përgjigjur në pyetje edhe derisa kanë qenë duke bërë seks .

Pas mbledhjes të gati 250.000 deklaratave, ekspertët nga Harvardi kanë konstatuar se pjesëmarrësit në këtë anketë, 46.9% të kohës e kalojnë duke ëndërruar, duke mos u përqendruar në atë që janë duke bërë.
Në pyetjen se sa janë të lumtur dhe të kënaqur, mu ata që është parë se ëndërrojnë më së shumti, kanë deklaruar se janë më së paku të lumtur.

Profesori Nillio Lavie nga Universiteti i Londrës ka vënë në pyetje rezultatet e studimit, meqë mendon se ato bazohen në një lloj të caktuar njerëzish, të cilët kishin marrë pjesë në studim me anë të iPhone-s, duke qenë të gatshëm që të pengohen nga ana e kërkuesve pa marrë parasysh se çka kanë qenë duke bërë.

Megjithatë, studimet që ai ka bërë vet duke studiuar pjesëmarrësit e zgjedhur rastësisht, kanë treguar një shkallë edhe më të lartë të ‘ëndërrimit me sy çelë’ edhe gjatë kryerjes së detyrave më pak të rënda.