Rreziku i preparatit qe te nxin trupin

Në internet është shumë e lehtë që të blesh një injeksion që për momentin të krijon një “nxirje” të lëkurës së trupit sikur të ishte e shkaktuar nga rrezet e diellit, por kjo është një kënaqësi estetike që tashmë ka një çmim shumë të lartë.

Së fundi është zbuluar se ky lloj injeksioni mund të shkaktojë sëmundje zemre ose kancer. Është e qartë se shumë gra kanë shumë mall për një nxirje të lëkurës së trupit të tyre, sidomos gjatë stinës së gjatë të dimrit dhe janë në kërkim të dëshpëruar të rrezeve apo edhe të mjeteve që do t’u jepnin efektin e një ngjyre të shkaktuar nga dielli.

Kështu mund të kalojnë shumë kohë para internetit në kërkim të mënyrave të lira dhe të shpejta që do ta krijonin një ngjyrë të tillë, qoftë edhe për pak kohë. Mjafton që të shkruash në motorin e kërkimit ‘Google’ togfjalëshin “nxirje e shpejtë”, dhe do të dalin me radhë të gjitha kompanitë që e ofrojnë këtë nxirje me një çmim shumë të favorshëm. Bëhet fjalë për përshpejtues të nxirjes së trupit në formën e kremrave, hapave dhe madje edhe injeksioneve.

Zakonisht bëhet fjalë për doza që nuk e kalojnë vlerën e 30 eurove, dhe sipas asaj që shkruhet në uebsajtet e kompanive, këto shkaktojnë menjëherë efektin “nxirës” të lëkurës së trupit. Mjafton madje një miligram në trup dhe përdoruesja do të duket sikur sapo është kthyer nga Bahamat. Por shpesh këto pazare online të produkteve të tilla e çojnë blerësen drejt e në spital.

Ato nuk mendojnë asnjëherë për rreziqet dhe efektet anësore të këtyre mjeteve dhe lëngjeve, dhe zakonisht pasojat janë me të vërtetë shokuese. Paketa shiringash të tilla që blihen në internet vijnë zakonisht pa letrën e instruksioneve dhe vajzat ose gratë i përdorin në bazë të këshillave të marra nga shoqet dhe persona të tjerë që mund t’i kenë përdorur apo dëgjuar se si t’i përdorin. Kur kthehen pas në kohë, sigurisht që nuk e kuptojnë se si ishte e mundur që u treguan kaq naive dhe provuan në trupin e tyre një produkt për të cilin nuk dinin asgjë më parë.

Pas injektimit të parë duhet të kalojnë dy ditë nga shfaqja e efekteve të para të injeksionit. Vetëm pas dy ditësh nisin që të ndodhin edhe gjërat e çuditshme me trupin. Fytyra nis të të bëhet e shndritshme dhe e lëmuar dhe vetë personat bëhen shumë të ndjeshëm, shumë më tepër se normalisht.

Për sa i përket fytyrës, në ditën e tretë nisin disa kruarje, djegie të vogla. Më pas, në këto kushte, njëra nga përdorueset e këtyre shiringave shkoi në spital dhe u shpjegoi mjekëve se nga i ishte shkaktuar ajo situatë e rëndë me fytyrën. Mjekët nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për preparatin me emër melanotan, por bënë disa kërkime dhe më në fund u kthyen me në fytyrë të shqetësuar. Sipas tyre, melanotan përmban hormone që rrisin nivelin e pigmentit të melaminës në trup.

Ky produkt u ndalua që të dilte në treg në vitin 2008, pas disa rastesh të shumta të trazirave dhe çrregullimeve të shkaktuara prej tij. Pas disa analizash u pa se përdorimi i produktit mund të shkaktonte në rastin më të mirë një çngjyrosje të lëkurës, ndalim të procesit të shërimit dhe një dëmtim të madh të sistemit imunitar, madje në një mënyrë të tillë sa pacientët mund të bëheshin shumë kollaj edhe pre e meningjitit.

E megjithatë, ky preparat mund të gjendet edhe sot shumë lehtësisht në internet dhe njerëzit e painformuar dhe naivë në përdorimin e preparateve jo të besueshme mund ta pësojnë sërish. Ndërsa shitja e tij është ndaluar, nuk është ndaluar pasja apo përdorimi i tij. Përdoruesja e mësipërme qëndroi për një kohë të gjatë në spital. Fillimisht situata e saj u duk e përmirësuar, por më pas u përkeqësua sërish.

Kjo, sepse ky është një preparat që ka një efekt valë-valë dhe mbi të gjitha sa vjen e shkakton më shumë dëme në organizëm pasi është injektuar njëherë. Pas disa ditësh në gjoksin e saj nisën që të shfaqeshin njolla të ndryshme që u shndërruan në plagë, dhe edhe sot e kësaj dite ato njolla që ngjajnë më shumë me një çngjyrosje nuk janë zhdukur. Ajo çka është për të ardhur keq është që njerëzit janë ende aq të papërgjegjshëm për trupin dhe për jetën e tyre, sa të provojnë preparate pa recetë, pa rekomandim dhe aspak serioze të blera në internet, dhe mbi të gjitha pa një letër apo indikacion përdorimi.