Rrudhat në fytyrë, shenjë e eshtrave të butë

Është parë se gjendja e lëkurës në fytyrë mund të tregojë se çfarë strukture kanë eshtrat e atij personi.

Nëse keni problem me rrudha në fytyrë, për ju kemi edhe një lajm tjetër të keq. Shkencëtarët kanë konstatuar se rrudhat mund të mos jenë vetëm një problem estetik, por edhe shëndetësor, meqë mund të jenë shenjë se keni eshtra me dendësi më të vogël sesa normalja.

Dendësia më e vogël e eshtrave vjen për shkak të mungesës së kalciumit dhe mineraleve të tjera, të cilat janë të rëndësishme për fortësinë dhe shëndetin e tyre.

Një studim i bërë në Universitetin ‘Yale’, ku kanë marrë pjesë rreth 100 gra, ka treguar se fytyra dhe qafa me rrudha mund të jetë shenjë se eshtrat janë më të ndjeshëm dhe thyhen më lehtë.

“Është parë se gjendja e lëkurës në fytyrë mund të tregojë se çfarë strukture kanë eshtrat e atij personi, ka thënë drejtoresha dhe udhëheqësja e studimit, Lubna Pal, ka tërhequr vërejtjen se bëhet fjalë për femrat në menopauzë, si dhe nuk duhet që, për çdo rrudhë që na paraqitet, të mendojmë se lidhet me këtë problem.

Edhe pse mendimi i disa mjekëve nuk është në përputhje me këtë teori, duke thënë se personat me rrudha të tepërta kalojnë një pjesë të madhe të kohës në diell, doktoresha Pal mendon se ky problem nuk është kaq i thjeshtë.

Ajo thekson se kjo teori, për çdo rast, është e dobishme meqë femrat do të përkujdesen më shumë për shëndetin e tyre dhe do të kenë kujdes që të ushqehen me ushqime të shëndetshme, duke marrë sasi më të mëdha të kalciumit.