Sëmundja e tiroideve si të parandalojnë

Sëmundja e gjëndrave të tiroideve është shqetësuese për një pjesë të mirë të popullsisë që janë të prekur nga ajo.

Mjekja specialiste në këtë fushë, Lule Zyko, në një intervistë për “Tirana Observer” sqaron të gjitha simptomat e kësaj sëmundje, pasojat e saj dhe ushqimet që duhet të hamë për ta parandaluar.

Çfarë janë gjëndrat tiroide?
Gjëndra tiroide është e vogël dhe ka formën e një fluture. Ajo gjendet në pjesën e përparme të qafës. Tiroidi formohet nga dy lobe që mbështjellin trakenë dhe e tërë gjëndra peshon jo më shumë se 30 gramë.

Tiroidi është pjesë e sistemit endokrin, i cili përbëhet nga disa organe dhe inde që prodhojnë, mbajnë dhe sekretojnë drejt e në gjak hormone lajmëtarë kimikë. Tiroidi përbëhet nga shumë folikula ose qeska të mbushura me lëng veshtullor, ku gjenden hormonet e tiroidit. Këto hormone kanë përmbajtje të madhe jodi. Në, fakt 80 për qind e jodit në trupin e njeriut gjendet në tiroid. Mungesa e jodit në ushqim, mund të shkaktoj zmadhimin e tiroidit.

Z. Zyko, cili është funksioni i tiroidit?
Hormonet e tiroidit rregullojnë shkallën e metabolizmit në trupin e njeriut. Ato nxitin rritjen dhe përtëritjen normale të indeve. Ndikojnë në ritmin e zemrës dhe kujdesen të prodhohet energji për muskujt dhe për nxehtësinë trupore. Funksion tjetër është se ai ndihmon mëlçinë që të heqë nga gjaku trigliceridet e tepërta dhe lipoproteinat me dendësi të ulët, që quhet kolesterol i dëmshëm. Nga ana tjetër, mangësia e madhe e hormoneve të tiroidit mund të shkaktojë rritjen e kolesterolit të dëmshëm dhe pakësimin e lipoproteinave me dendësi të lartë, pra kolesterolin e dobishëm. Në aparatin tretës, hormonet e tiroidit përshpejtojnë sekretimin e lëngjeve tretëse.

Cilat janë shkaqet e keqfunksionimit të gjëndrave tiroide ?
Siç e përmenda dhe në fillim keqfunksionimi i tiroidit mund të jetë pasojë e mungesës së jodit në ushqim, lodhjes fizike , stresit mendor, defekte gjenetike, infeksioneve, sëmundjeve ose efekteve anësore të ilaçeve që përdoren për të kuruar sëmundje të ndryshme. Zmadhimi i tiroidit mund të jetë simptomë e ndonjë sëmundjeje. Zmadhimi mund të jetë i përgjithshëm ose në formë nyjash. Zakonisht tiroidi i sëmurë prodhon hormone me tepri ose me pakicë. Prodhimi me tepri quhet hipertireozë, ndërsa prodhimi me pakicë , hypotireozë.

Cilat janë simptomat që ka një njeri i sëmurë nga tiroidi?
Në rastin e hipertierozës simptomat janë: nervozizmi i tepruar, rënia e pa shpjegueshme në peshë, rrahje të shpeshta të zemrës, shtim i lëvizjeve të zorrëve , çrregullime të menstruacioneve , acarim, ankth, luhatje të humorit, sy të dalë, debulesë muskujsh, pagjumësi, si dhe flokë të hollë dhe delikat. Ndërsa , hypotireoza shkakton plogështi mendore, shtim peshe i pa shpjegueshëm, rënie flokësh, kapsllëk, ndjeshmëri e jashtëzakonshme ndaj të ftohtit, çrregullime të menstruacioneve ,depresion, ndryshim të zërit(trashje ose ngjirje) ,humbje të kujtesës ose lodhje.

Si mund t’i kurojmë gjëndrat tiroide ?
Në rast se ne kemi probleme me tiroidet duhet të bëjmë analizat. Në rast se analizat tregojnë se tiroidi ka aktivitet të ulët , zakonisht rekomandohen analiza për të gjetur antitrupat që sulmojnë gjëndrën. Nga ana tjetër, nëse analiza tregon se ka aktivitet të lartë , zakonisht bëhet një shintigrafi (ekzaminim ku përdoret jodi radioaktiv) me kusht që pacienti të mos jetë grua shtatzënë apo që ushqen me gji fëmijën. Kur zbulohen, nyjëza, në tiroid mund të nevojitet biopsia për t’u siguruar që nuk bëhet fjalë për masa malinje.

Si mund t’i parandalojmë problemet me tiroidin?
E rëndësishme është që ushqimi që marrim të përmbajë jod mjaftueshëm. Një mënyrë e shkëlqyer për të marrë këtë element jetikë është ngrënia e peshqve të ujërave të kripura , si dhe frutat e detit. Ndërkohë që, sasia e jodit në zarzavate dhe mishra ndryshon në varësi të përbërjes kimike të tokës. Për të kompensuar mungesën e këtij elementi në ushqim, mund t’i shtohet jod artificialisht kripës së gjellës( veprim që e ndërmerr qeveria). I rëndësishëm për tiroidin është dhe seleni. Edhe sasia e selenit në zarzavate, mish dhe qumësht varet përsëri nga përbërja kimike e tokës. Frutat e detit dhe arrat e Brazilit kanë me bollëk këtë element.

Cilat zarzavate nuk duhet të përdorim gjatë kohës së kurimit?

Zarzavatet që nuk duhet të përdorim gjatë kohës së kurimit kur jemi me hypotireoz janë: bizelja, lakra, lulelakra, fasulja sepse këto thithin shumë jodin. Mirë është të marrim dy hurma në ditë, jod dhe kripë të jodizuar dhe njëkohësisht gjatë verës duhet të shkojnë në plazh, kurse të sëmurët që vuajnë nga hiperteroza nuk duhet të shkojnë në plazh gjatë kohës që janë me diagnozë./tiranaobserver/

Komento