Shpëtim për këmbët tuaja

Qëndroni gjithë ditën ulur në zyrë, nuk ecni sa duhet? Ndihmoni vetes! Jeni një nga ata ose ato që çdo ditë e ri-mundojnë veten me këmbë të tendosura dhe të shtangura? Ja se si mund t’i ndihmoni vetes përkundër mënyrës jo të shëndetshme jetësore!

Në vazhdim ju sjellim disa këshilla të thjeshta, të cilat do t’u ndihmojnë që këmbët tuaja të bëhen më pak të dhimbshme dhe më pak të lodhshme.

Masazhi i lehtë

Masazhojini këmbët me kremra dhe xhele për vena të cilat e lehtësojnë ënjtjen. Më të mira janë preparatet të cilat përmbajnë ekstrakte të gështenjës së egër dhe vaj eterik të rozmarinës, sepse ato veprojnë kundër inflamacioneve duke forcuar qarkullimin dhe tonusin e mureve të venave.

Dushi i ftohtë – i nxehtë

Çdo ditë dushin shfrytëzojeni për masazh. Me ujë të ftohtë dhe të nxehtë lani këmbët nga shputat drejt kofshëve.

Larja e mbrëmjes

Në ujin e vakët qitni një dorë kripë kuzhine dhe disa gjethe të rozmarinës, ndërsa nëse këmbët janë shumë të ënjtura, shtoni edhe dy grushte të gjetheve të mentës. Pas larjes, shputat fshini me peshqir duke i fërkuar nga gishtat drejt thembrës.

Ushtrime për qarkullim më të mirë

Porsa të çoheni nxiteni qarkullimin me ushtrime dhjetë minutëshe: Duke qëndruar shtrirë në shpinë, duart vendosni nën prapanicë dhe lëvizni këmbët sikur të vozitni biçikletë.

Kur jeni në shtëpi, disa herë në ditë shtrijuni në dysheme dhe këmbët çoni për muri. Vetëm pas pesë minutash do të ndjeni që pesha e këmbëve po largohet.

Komento