Si mund të mbahet nën kontroll astma tek fëmijët?

Astma është një sëmundje kronike e mushkërive, e cila karakterizohet nga inflamacioni dhe ngushtimi i rrugëve të ajrit.

Astma shkakton episode të një frymëmarrjeje fishkëllyese, me shtrëngim gjoksi, frymëmarrje të vështirësuar dhe kollë. Kolla kryesisht ndodh natën ose herët në mëngjes. Astma prek të gjitha grupmoshat, por kryesisht fillon në fëmijëri.

-Si trajtohet një fëmijë i sëmurë me astmë? Qëllimi i trajtimit të astmës është që të kontrollohet sëmundja, që do të thotë: të parandalohen simptomat e bezdisshme si kolla, vështirësia në frymëmarrje, etj dhe të parandalohen krizat e astmës.

Plani i trajtimit përfshin: shmangien e substancave ngacmuese të astmës, përcaktimin e skemës së mjekimit afatgjatë me medikamente profilaktike (mbrojtëse) si dhe mjekimin që duhet të merret në rast të një përkeqësimi. Suksesi në menaxhimin e mirë të astmës qëndron në bashkëpunimin e mirë mjek-pacient. Skema dhe plani i trajtimit janë individuale për çdo pacient.

Fatkeqësisht, deri më sot, shkenca nuk ka arritur të gjejë rrugën për shërimin e astmës, por ka gjetur alternativa për një mjekim shumë të mirë të simptomave të saj. Edhe kur pacienti është mirë, ai vazhdon ta ketë sëmundjen, e cila mund të riaktivizohet në një moment të dhënë.

Gjithsesi, me njohuritë dhe medikamentet e ditëve të sotme, shumica e pacientëve e menaxhojnë shumë mirë sëmundjen. Ata mund të bëjnë jetë normale dhe aktive.
Është detyrë për çdo prind të një fëmije me astmë, të ketë një rol aktiv në menaxhimin e sëmundjes. Për një trajtim të tërësishëm dhe të suksesshëm të sëmundjes, është i domosdoshëm ndërtimi i një partneriteti të fortë me mjekun

Komento