Si mund ti luftojme dhjamerat

Shpesh dëgjojmë nëpër biseda, apo ndër miq të na thonë se nëse do të duam vërtet të dobësohemi nuk do të na mjaftojë vetëm dieta apo sporti.

Kjo, sepse asnjëra prej tyre nuk do të mund që t’i tresë deri në fund depozitat e dhjamit në pjesë të trupit, të cilat edhe pse mund të dobësohemi do të vazhdojnë që të qëndrojnë aty “të patundura”.

Sipas një mjeshtri britanik të fitnesit, që është marrë 20 vitet e fundit me eksperimentimin e metodave që duhet të përdorin gratë për të rënë nga pesha në mënyrë sa më të hijshme dhe të shëndetshme, shumë gra të reja që kanë ndjekur dieta rigoroze dhe kanë ndjekur edhe një regjim fitnesi të shembullt janë të pakënaqura nga fakti që pavarësisht punës së tyre janë dobësuar në vendet e gabuara, pra në mënyrë të disproporcionuara. Kjo i ka frustruar shumë këto gra e vajza të reja, por edhe në një moshë më të madhe.

Një pjesë e madhe e këtyre grave kanë dashur për shembull që të bien në peshë në vithe, apo në bel dhe në vend të kësaj në përfundim të dietave dhe ushqimeve kanë humbur peshë në fytyrë apo në gjoks, çka nuk ishte rezultati që kërkuan në fillim. Më të pakënaqura janë gratë në periudhën e menopauzës, të cilat grumbullojnë me shumicë shenja në bark dhe në krahë. Sipas këtij eksperti të fitnesit, që është ndërkohë edhe mjek, arsyeja që dhjami ikën vetëm në disa pjesë të trupit dhe jo në të gjitha të tjerat është shpesh hormonale. Shumë procese të trupit tonë koordinohen nga hormonet dhe janë pikërisht hormonet ato që “vendosin” se ku do të depozitohet dhjami i trupit tonë. Problemet dalin sepse shpesh shumë prej nesh jetojnë në një situatë mosbalancimi hormonal për shkak të dietave, ushqimit të keq, stresit, ndotjes së mjedisit dhe mungesës së ushtrimeve të duhura dhe jetës aktive. Sipas tij, çdo vend ku grumbullohet yndyra dhe dhjami në trup kudo qoftë në stomak, në gjoks, në vithe, e kështu me radhë shkatërrohet nga veprimi, ose mosveprimi i një hormoni specifik. Me korrigjimin e disbalancës personale hormonale përmes një diete të dobishme, ushtrimeve të duhura dhe një mënyre jetese të shëndetshme këto vende dhjami reduktohen dhe dhjami shkrin edhe në ato pika “të vështira”.

Për sa u përket dietave të ushqimeve të duhura, ai rekomandon dietën mesdhetare, pra të pasur me fruta, me perime, me peshk, me pak mish, me yndyra të shëndetshme, me shumë pak sheqer dhe duke lënë mënjanë njëherë e mirë të gjitha ushqimet që blihen në fast-food. Ndërkaq, ushtrimet dhe lëvizja e përditshme janë shumë të domosdoshme për ndryshimin radikal dhe pozitiv në organizëm.

Depozitimi i dhjamit në kurriz dhe në pjesën sipër xhinseve mund të jetë shenjë e një problemi me hormonin e insulinës, që rregullon nivelin e sheqerit në gjak dhe në këtë rast problemi mund të çojë në depozitim të dhjamit edhe mbi ije. Një dietë me sheqer detyron trupin që të nxjerrë jashtë insulinën. Por me kalimin e kohës nëse sheqeri mbetet i lartë atëherë qelizat nuk do të kundërpërgjigjen më siç duhet, duke shkaktuar kështu prodhimin e një sasie më të madhe insuline dhe si pasojë do të kemi një tepri glukoze në gjak dhe shëndoshje në zonat e sipërme. Kësisoj, për të ndryshuar situatën duhet që të menaxhojmë karbohidratet dhe sheqernat në dietën tonë. Pra, në këtë rast, na vlen dieta mesdhetare dhe shmangia e teprimeve me alkool, bukë të bardhë, biskota, keke, patatina, oriz, ëmbëlsira dhe pije me gaz. Duhet konsumuar çdo lloj ushqimi i pasur në antioksidantë (që parandalon dëmtimin nga radikalet e lira dhe redukton rezistencën e insulinës) i tillë si kanella, karafili, barërat e freskëta, luleshtrydhet, manaferrat, brokoli, çaji i gjelbër.

Për sa i përket dhjamit të pjesës së gjoksit, ai mund të shkaktohet nga problemet me tiroidet. Kjo gjendje rregullon edhe shkallën e djegies së kalorive nga ushqimi. Nëse tiroidja ka funksion të lartë mund të shkaktojë dhjamosje të pjesës së gjoksit te femrat, si dhe një rritje të peshës së trupit në përgjithësi, lodhje dhe depresion. Ndërkohë, disa lloj ushqimesh mund të interferojnë me funksionimin e rregullt të gjëndrës së tiroideve, ndaj në një rast të tillë kufizoni brokolin, lakrën e Brukselit, lakrën në përgjithësi, produktet e sojës, spinaqin dhe luleshtrydhet. Kjo vlen vetëm për përdorimin e tyre në gjendje të pagatuar. Nëse do t’i gatuani, atëherë çaktivizohen përbërësit e dëmshëm dhe mund t’i konsumoni pa frikë. Ndërsa për të nxitur jodin në tiroiden tuaj, atëherë duhet të hani oriz kaf, hudhra, mëlçi, salmon, ton. Mbi të gjitha gjeni kohë që të pushoni. Hormoni i stresit, kortisoli, mund të ndryshojë funksionin e tiroideve. Gjithashtu përdorni një pastë dhëmbësh pa fluoride.

Ndërsa për sa i përket akumulimit të dhjamërave në pjesën e poshtme të krahëve, kjo mund të ketë të bëjë me uljen e madhe të hormonit të testosteronit dhe vihet re më shumë te gratë që i afrohen moshës së mesme. Nxitja e niveleve të këtij hormoni mund të vijë përmes një ushtrimi të duhur, pra përmes vrapit apo ushtrimeve të tjera fizike të dobishme, të cilat ndihmojnë në sjelljen në formë të krahëve.

Ndërkohë rekomandohet si shumë i dobishëm seksi. Rënia në dashuri e rrit shumë nivelin e testosteroneve dhe seksi i rregullt i çon trupit sinjale për prodhimin e një sasie më të madhe hormonesh. Një tjetër mënyrë është edhe ajo e një gjumi në sasinë e duhur, sepse dhe gjumi ndihmon në prodhimin e këtij hormoni. Mungesa e ushtrimeve e ul ndjeshëm gjithashtu nivelin e testosteroneve. Edhe në këtë rast duhen reduktuar sheqernat dhe karbohidratet e përpunuara nga dieta juaj, sepse nivelet e larta të sheqerit në gjak e ulin prodhimin e testosteronit, por ndërkohë mos e zhdukni tërësisht nga dieta juaj, sepse edhe mungesa e sasisë së duhur të kalorive në trup për një kohë të gjatë mund të çojë në ulje të prodhimit të hormoneve. Nxiteni marrjen e yndyrave të shëndetshme që janë të domosdoshme për prodhimin e testosteroneve. Hormoni femëror i estrogjenit nxit edhe akumulimin e dhjamit rreth këmbëve dhe shumë prej nesh janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të estrogjenit si atyre natyrore, por edhe artificiale. Në natyrë gjenden tek uji dhe mishi, ndërsa estrogjeni në rrugë sintetike gjendet te kimikatet plastike dhe në ambient. Për të luftuar këtë duhet që të hamë më shumë fruta, zarzavate dhe drithëra. Mos përdorni më alkool, mos merrni tableta kundër dhimbjeve dhe pije të ndryshme që përmbajnë konservantë dhe ngjyrues kimikë. Hani sa më shumë kos natyral që të nxisni prodhimin e baktereve të mira në stomak, të cilat ndihmojnë në tretjen e ushqimit dhe reduktoni edhe kafenë. Sipas një studimi të fundit, kafeina nëse do të konsumohet me tepri, pra më shumë se dy kafe në ditë, mund të shkaktojë edhe çlirimin e madh të hormoneve të estrogjenit te gratë.

Dhjami në bel. Kjo mund të jetë tregues i problemeve me gjëndrat adrenale dhe mbiprodhimin e hormonit të kortisolit. Një stres i gjatë dhe i fortë mund të shkaktojë në trup prodhimin e një sasie më të madhe nga sa duhet kortisoli, që rrit në gjak nivelin e glukozës.

Kjo në këmbim shkakton edhe shtimin e insulinës që komandon trupin që të magazinojë sasi të mëdha glukoze rreth stomakut. Shkaku kryesor i kësaj situate dhjamosjeje është konsumimi i një diete me shumë sheqerna, kryesisht në formën e alkoolit. Mbi të gjitha për të marrë masat ndaj një problemi të tillë duhet pushim, relaks që të ndihmon të ulësh nivelin e stresit. Pra duhet që të prishet ai cikël stresi që ka shkaktuar probleme në trup. Sipas studimeve, një pushim i mirë ul edhe kërkesën e trupit për ushqime me kalori të lartë. Edhe në këtë rast është e rëndësishme që të mbahen nivelet e ulëta të glukozës në gjak. Ushtrimet e moderuara fizike janë të mira, por kurrë mos e tejkaloni masën.

Komento