Si t’i aplikojmë maskat e fytyrës

Maskat natyrale janë produktet më efikase në mbrojtjen dhe përmirësimin e fytyrës. Ato bëjnë të mundur që lëkura të hidratohet, pastrohet si dhe të bëhet më e lëmuar. Megjithatë që maskat tuaja të jenë më rezultative njihuni me disa rregulla bazë për një aplikim të shëndetshëm

Konservuesit, emulgatorët, vajrat minerale dhe derivatet e tjera të naftës në preparatet kozmetike janë të dëmshme për lëkurën. Kështu kanë treguar të paktën studimet e reja. Për fytyrë më të përshtatshme janë preparatet natyrore të freskëta.

Maskat natyrore ngadalësojnë procesin e plakjes së lëkurës, sepse formojnë një shtresë të veçantë që e mbron lëkurën nga ndikimet e dëmshme të ambientit të jashtëm dhe e nxisin mikro-qarkullimin, duke e ruajtur lagështinë e lëkurës. Përpos që e pastrojnë lëkurën në thellësi, maskat për fytyrë e përmirësojnë edhe tonusin e saj dhe e rregullojnë yndyrshmërinë. Një ndër avantazhet e tjera është edhe çmimi i lirë. Ja se cilat janë disa rregulla për aplikimin e tyre.

Para vënies së maskës, pak kamomil

Para vënies së maskës në fytyrë, përgatiteni lëkurën duke e avulluar me çaj kamomili. Kjo i hapë poret duke e përmirësuar thithjen e përbërësve të maskës. Çaji i kamomilit po ashtu mund të përdoret edhe si tonik. Zhytni copat e pambukut në çaj dhe pastrojeni fytyrën. Derisa kënaqeni me maskat aromatike, në sy mund t’i vini qeskat e çajit.