Si ta mësoj fëmijën me ndjenjën e përgjegjësisë?

Mos shtrëngimi i fëmijëve në një detyrë të caktuar me mendimin se “është akoma i vogël, nuk mund ta bëjë”, mosngarkimi i një përgjegjësie ndikon në formimin e mangët të fëmijëve.

Fëmijët e përkëdhelur shumë,  të kontrolluar dhe që nuk u jepet asnjë detyre kthehen në individë pasivë, të mbyllur në vetvete  dhe persona që presin nga duart e të tjerëve për të përfunduar detyrat e tyre.

Fëmijët duhet të ngarkohen me detyra në varësi të moshës që kanë.

Për të pasur një individ të pavarur, të suksesshëm dhe të sigurt në vetvete, ndjenja e përgjegjësisë u duhet transmetuar fëmijëve nga ana e familjes. Detyrat e caktuara nga ju si prindër do të ndikojnë pozitivisht në personalitetin dhe zhvillimin e tij.

Në periudhën parashkollore fëmijës duke filluar nga mosha dy vjeç mund t’i jepen detyra të vogla të përshtatshme me moshën dhe të mësohet me sjellje të tilla. Nuk duhet harruar se përgjegjësia është diçka që mund të merret aq sa jepet. P.sh fëmija të lejohet të hajë vetë kur arrin në moshën ku mund ta përdorë mirë lugën. Mbledhja e lodrave të hapura është gjithashtu hap i vogël, i cili mund ta ndihmojnë të përgatitet më mirë për jetën. Por, fatkeqësisht shumica e nënave dhe baballarëve ecin me mentalitetin se ai është akoma i vogël, nuk mund të bëjë asgjë. Dhe vazhdojnë të veprojnë në emër të fëmijës. Familjet, të cilat shfaqin një qëndrim shumë mbrojtës dhe përkëdhelës, pengojnë fëmijët të vendosin vetë por më vonë mund të zhgënjehen nga ata.

Një fëmijë të cilit nuk i jepet asnjë detyrë apo përgjegjësi nga familja, në periudhën e fillimit të shkollës nuk do të dëshirojë të bëjë detyrat, nuk do të sistemojë dhomën dhe gjithnjë do të presë ndihmën e të tjerëve.  E njëjta gjë është edhe për fëmijët që rriten në familje shumë autoritare, ku sundon disiplina e rreptë. Asgjë nuk ndryshon. Sepse tek fëmija nuk është zhvilluar aftësia e vetëvendosjes dhe zgjedhjes. Kur familja ushtron një presion shtypës dhe autoritar fëmija rritet pasiv, i heshtur dhe larg përgjegjësive. Familjet përpiqen të bëjnë më të mirën për fëmijët. Prandaj me kalimin e viteve, kur ky fëmijë rritet e ka shumë të vështirë të qëndrojë mbi këmbët e tij dhe nuk do të arrijë të vendosë vetë për asgjë.

Jepini detyra të përshtatshme me moshën

Ju si familje duhet të thurni fjali të shkurtra dhe të qarta për të shprehur detyrat që mund të bëjë fëmija.

Tregohuni të kujdesshëm që detyrat e dhëna të përshtaten me moshën dhe karakterin e fëmijës.

Nxiteni atë t’ju ndihmojë në punët tuaja të përditshme.

Mund t’i jepni detyra të thjeshta si t’ju ndihmojë në shtrimin e tryezës, t’u përgjigjet telefonatave e të tjera të ngjashme.

Jepini fëmijës mundësinë e zgjedhjes duke pranuar që ai është një individ i ndryshëm nga ju. Në këtë mënyrë do ta ndihmoni të kuptojë rezultatet pozitive dhe negative.

Mbështeteni por mos ndërhyni.

Përpiquni të bëheni shembull për sa i përket ndjenjës së përgjegjësisë, mos harroni që fëmija është pasqyra juaj.

Kur fëmija e kryen me sukses një detyre të dhënë mos harroni ta lavdëroni me fjalë si “të lumtë, e paske bërë shumë bukur”.

Mos e dënoni në rastet kur nuk plotëson detyrat e dhëna. Dënimi që mund t’i jepni fëmijës suaj si prind është mosdhënia e shpërblimit. /Start/

Komento