Si të grimoheni nëse jeni miope

Pa marrë parasysh se sa të hijshme mund të jenë kornizat e syzave tuaja, kjo nuk dmth se duhet të hiqni dorë nga vënia e grimit në sy .

Meqë te syzat me dioptri të madhe, xhamat e syzave ndryshojnë pamjen e syve, femrat shkurtpamëse dhe largpamëse duhet të përdorin mjeshtëri të veçanta kur të grimohen.

Nëse jeni miope (shkurtpamëse)

Te femrat miope, xhamat e syzave ndikojnë që sytë të duken më të vegjël, prandaj ato nuk duhet të përdorin ‘ajlajner’ të zi, por hijet më të ndritshme të kadifenjta.
Në këtë mënyrë, sytë duken më të mëdhenj. Maskara vendoset në një shtresë të hollë.
Këshillë: Sytë do të shkëlqejnë nëse në kapakun e poshtëm të syve vendosni kreon të bardhë. Mund të përdorni edhe ndonjë nuancë tjetër pastele.

Nëse jeni largpamëse (hipermetrope)

Te personat largpamës situata është e kundërt – sytë duken tepër të mëdhenj. Më së miri është që të përdoren hijet e errëta, sidomos për kapakët e epërm të syve. Përdoreni ‘ajlajnerin’ me bollëk.
Këshillë: Pas vënies së maskarës, qerpikët duhet t’i ndani me brushë, meqë nëpër xhamat e syzave të personave largpamës shihet çdo kokërr, sado e vogël të jetë ajo.

Lapsi i syve nuk pengon thjerrëzat (lenset)

Thjerrëzat e kontaktit janë zgjidhje e përkryer për të gjithë ata që nuk duan të bartin syza, por ato kërkojnë një kujdes më të madh në aspektin e mirëmbajtjes. Evitoni hijet pluhur. Përcaktohuni për lapsa shumëngjyrësh, meqë ata nuk lëshojnë kokrra. Mund të jenë të yndyrshëm, gjë që i përshtatet shumë mirë lëkurës së ndjeshme rreth syve.
Këshillë: Kur ta veni grimin, e pasi që keni vënë thjerrëzat e kontaktit, evitoni përdorimin e pudrës pluhur, meqë ajo mund të depërtojë në sy dhe të shkaktojë irritim.