Si të kujdeseni për duart

Duart tona janë pjesët e trupit që u bien në sy menjëherë të tjerëve, por ato janë njëkohësisht edhe më të ekspozuara ndaj erës dhe ftohtësisë.

Për këtë shkak, atyre duhet kushtuar kujdes dhe duhet përgatitur për dimër.

Përdorni dorëzat

Lëkura e duarve është shumë e hollë dhe e thatë, prandaj ajo është shumë e ndjeshme ndaj ftohtësisë dhe erës, por edhe ndaj detergjenteve të cilët i përdorim çdo ditë. Mbrojtja kryesore duhen të jenë dorëzat. Gjithmonë kur dilni jashtë, merrni me vete dorëza të bukura, e kur të lani enët, përdorni dorëza të gomës.

Rriteni lagështinë e ajrit

Duart dëmtohen shumë nga ajri i thatë i ambientit ku rrimë, prandaj si në shtëpi, po ashtu edhe në punë, duhet të përdorni njomës të ajrit. Nuk është e thënë që të blini preparate të shtrenjta, mjafton një enë e thjeshtë, e mbushur me ujë, e vënë mbi nxehëse.

Lyeni duart

Disa herë në ditë lyeni duart me krem, me vaj kokoje, pantenol apo me ndonjë preparat tjetër. Natyrisht edhe vet ju mund të përgatitni një krem të mrekullueshëm për lyerjen e duarve. Përziejeni gjalpin e rëndomtë me pak mjaltë dhe me barëra mjekësore, sikur që është hithi apo luleradhiqja.

Preparatet tjera

Me disa pika të lëngut të limonit lyeni duart pas çdo përdorimi të detergjenteve. Kjo ua jep atyre lagështinë dhe vitaminat e duhura dhe e kthen ekuilibrin e pH-së. Më pas vejeni një maskë të përgatitur nga patatja e zier, ku keni shtuar pak qumësht, sikur kur përgatitni pure.

Banja e duarve

Një herë në javë ofroni duarve tuaja një kujdes shtesë, një banjë bimore. Në ujë të nxehtë qitni hithra të thata, sherbelë, kumak dhe kamomil. Futni dhe mbani duart në këtë përzierje për 15 minuta, e më pas lyeni me vaj bajamesh, ku keni shtuar disa pika të vajit eterik të rozmarinës.

Pilingu

Një herë në javë bëni piling të duarve, apo thënë shqip, largoni qelizat e vdekura sipërfaqësore të lëkurës së duarve. Përzieni 2-3 lugë të vajit të bajameve, një lugë kripe të detit dhe një lugë mjaltë dhe, me këtë përzierje fërkoni mirë duart.