Si te oraganizoni dasmen

Të planifikosh dasmën mund të jetë skajshmërisht stresuese, sepse duhen vënë shumë gjëra në vend dhe e gjithë kjo është shumë e kushtueshme.

Por një dasmë nuk ka pse të jetë shumë e shtrenjtë për të qenë një përvojë e mrekullueshme. Ti mund të bësh dasmën e ëndrrave edhe me një pjesë të kostos që dëgjon të përmendet.

Ka shumë mënyra për ta bërë dasmën më pak stresuese e më pak të rëndë për financat tuaja, kështu ti dhe bashkëshorti i ardhshëm do mund të keni ca para më shumë për t’i shpenzuar për gjëra që do t’ju duhen për të nisur jetën në çift.

Sigurisht që në fund të llogarive do ta kuptosh se më lirë se gjithçka të bie të arratisesh me bashkëshortin e ardhshëm…Gjithsesi, këtu mund të gjeni disa sugjerime se si të shkurtoni shpenzimet dhe të keni një dasmë të bukur.

Të përgjithshme:

Paracakto buxhetin: Hapi i parë për t’i mbajtur shpenzimet e dasmës nën kontroll është të krijosh një buxhet. Vendos sa do të shpenzosh dhe mos e kapërce, të paktën jo për detaje shtesë. Ca para këtu e ca atje mund ta ngrenë goxha shifrën e shpenzimeve.

Shpenzime parësore: Ka disa gjëra që janë më të rëndësishme se sa të tjerat për ty dhe dhëndrin e ardhshëm. Jepu përparësi pikërisht këtyre gjërave që kanë vlerë vërtet për ju dhe shkurto kostot e atyre që nuk janë aq të rëndësishme.

Thjeshtëzo: Një rrugë për të kursyer para, por edhe për të zvogëluar stresin, është ta thjeshtëzosh dasmën. Ndonjëherë, pak është shumë. Vërtet ke nevojë për secilën nga pesë pjatat e darkës për të gëzuar ditën tënde të veçantë?

Jepi kohë vetes: Duke i dhënë kohë të mjaftueshme vetes për të bërë plane, nuk do ndihesh e stresuar në përgatitjet e minutës së fundit, që të detyrojnë të zgjedhësh shërbime dhe produkte më të shtrenjta. Duke pasur më shumë kohë, ti do të kesh mundësi të bësh blerje me leverdi dhe jo të zgjedhësh atë që është e gatshme në minutën e fundit. Përveç kësaj, po të kesh një kartë krediti që grumbullon pikë, do kesh kohë ta përdorësh, kështu që mund të përfitosh nga këto “shpërblime” për blerjet e mëvonshme.

Veshjet dhe aksesorët

Merr me qira fustanin: Për ato që nuk janë të fiksuara në idenë që ta kenë fustanin edhe për brezat e ardhshëm, marrja me qira është një mundësi e mirë (dhe në fakt shumica e nuseve e kanë kuptuar
këtë).

Kërko ulje për qiranë e produkteve të marra në grup: Kërko një butik që bën ulje kur aty merren shumë kostume me qira. Mund të arrijë deri në atë pikë sa me qiratë e smokingëve për shoqëruesit e dhëndrit, smokingu i këtij të fundit të merret falas në ditën e dasmës.

Bliji këpucët me ulje çmimi: Po t’i shtosh fjalën “dasmë” çdo gjëje, çmimi rritet në progresion. Këpucët nuk bëjnë përjashtim. Përpiqu t’i blesh këpucët në një dyqan me ulje çmimi (këpucë që ngjanë si këpucë nusesh shpesh mbeten në dyqan, sepse është e vështirë të blihen për jetën e përditshme).

Merr hua nga mikeshat dhe të afërmit: Bëje më të veçantë tërë dasmën tënde duke marrë hua aksesorët nga familja dhe miqtë. Të vësh stoli të çmuara të familjes apo një vello të trashëguar do t’i jepte pamjes suaj, por edhe kujtimeve, një notë personale dhe me kuptim.

Lulet

Përdor lulet e stinës: Lulet e stinës janë shumë më të lira se ato që janë më ekzotike. Kështu, do kursesh shumë dhe dekoret dhe buqetat do duken po aq bukur.

Ripërdorimi: Ti mund të kursesh para po të përdorësh të njëjtat lule për të zbukuruar kishën në ceremoninë e dasmës (nëse do ta bëni një të tillë në kishë) dhe ambientin ku do organizoni festën apo darkën. Pyet nëse njeriu që do merret me lulet apo një mik mund t’i transportojë. Do ketë rrezik mos dëmtohen gjatë rrugës, por gjithsesi do t’ju kursejë shumë.

Ceremonia

Bëj një festë më të vogël: Festa e dasmës, nëse bëhet më e vogël, ul shumë nga totali i shpenzimeve, sepse do keni nevojë për më pak lule zbukurimi, për më pak ushqim dhe pije, për një ambient më të vogël etj.

Shmang sezonin e pikut të dasmave: Sezoni i pikut të dasmave është maj-shtator. Një dasmë jashtë këtij sezoni do t’ju kursente shumë në prenotime.

Mendo si mundësi alternativa të tjera transporti: Në rast se nuk është dhe aq e rëndësishme për ty që të hipësh e veshur me fustanin e nuses në një limuzinë apo në pajton, mund të shfrytëzosh një formë tjetër për të kursyer. Bëhu krijuese. Merr me qira një makinë antike nga një mik ose i afërm dhe dekoroje për dasmë. Këtij i thonë stil dhe zgjuarsi.

Shkurto listën e të ftuarve: Ki parasysh që çdo i ftuar që i shtohet listës rrit shpenzimet. Kjo tingëllon si zhurma e dorës që shtrëngohet, por ndoshta as ti vetë nuk do të ftosh njerëz që nuk i njeh. Fto vetëm ata me të cilët je shumë e afërt.

Tregohu kreative për vendin: Do ishte shumë me leverdi po të largoheshe nga ato vendet tipike për dasma. Po të jetë e mundur, kopshti i një të afërmi apo një vend i hapur i gjelbëruar do ishte ideal për një ceremoni dasme. Kjo jo vetëm që do kursente ca para, por do ta kthente në një festë të veçantë dasmën tuaj.

Dekorimet

Jo tradicionale. Nuk është e thënë të lësh shuma të mëdha parash për dekorimin e tavolinave. Lulet, që janë më të zakonshmet, kushtojnë shumë. Një gotë qelqi ku noton një qiri do ishte perfekte për t’u vendosur në qendër të tavolinave. Me këtë mund të merret dhe një njeri i afërm. Produktet e tjera të zbukurimit mjafton të kombinohen mirë dhe do t’i jepnin tavolinës një pamje feste, edhe pse mund të mos jenë shumë të shtrenjta.

Bëji vetë dhuratat për të ftuarit. Edhe ato mund t’i bëni vetë, duke sajuar lule, kartolina, copa tyli, fjongo, por që marrin një pamje interesante po të jenë të kombinuara bukur.

Fotografitë

Tregohu e kujdesshme: Në fakt për këtë nuk është e nevojshme të këshillosh, por gjithsesi po të kujtojmë: mos merr fotografin e parë që gjen në numërator apo që të propozojnë. Mundësitë janë, kështu që kërko alternativën më të mirë.

Të rinjtë e talentuar ose të afërmit: Në rast se nuk mund të përballosh një fotograf profesionist, të rinjtë e talentuar në këtë fushë, sidomos ata që e kanë ndjekur një kurs në këtë profil, janë një mundësi e mirë për të marrë rolin e fotografit. Për të qenë të sigurt, mund t’i kërkoni t’ju tregojnë disa nga fotot që kanë shkrepur më parë. Edhe një i afërm i aftë në këtë fushë mund t’ju vijë në ndihmë ose të paktën për fotot gjatë përgatitjeve dhe ato me miqtë e familjen.

Stampoji vetë fotografitë: Në rast se fotografi do t’ju jepte në dorë dhe fotografitë e stampuara, atëherë ju do të shpenzonit shumë më tepër. Më mirë merrini në CD dhe stamponi ato që ju duhen.

Ftesat bëji vetë: Në rast se je e zonja, mund t’i përgatisësh shumë lehtë. Ti mund të përdorësh programet e kompjuterit tënd dhe letër të blerë në kancelaritë që e tregtojnë. Nuk kërkon aspak mund, të jep shansin për ta bërë ftesën sipas fantazisë tënde dhe të kursen.

Shkruaju të ftuarve të përgjigjen online ose në telefon: Krahas ftesës, ti mund t’u dërgosh një adresë email-i ose një numër telefoni, që ata të konfirmojnë praninë e tyre.

Muzika

Përgatite vetë diskun e preferuar të këngëve: Në vend që të ketë në çdo hap të ceremonisë një grup muzikantësh, fare mirë ti mund të lësh në sfond muzikën tënde të preferuar. Në kishë, në koktejin e dasmës apo në mes të interpretimeve live mund të dëgjohen këngët e tua të preferuara, që kanë një kuptim të veçantë për ty dhe bashkëshortin e ardhshëm.

Merr një orkestër amatorësh: Në rast se nuk mund të marrësh dot një orkestër dhe këngëtarë profesionistë, gjej disa studentë ose muzikantë të rinj amatorë. Ndoshta nuk do njohin këngët më të famshme të dasmave, por do i realizojnë ato thuajse njëlloj si të tjerët.

Bëhu DJ i dasmës tënde: Është më e lehtë se kurrë të jesh DJ i festave. Ti mund të bësh miksimet e tua në një CD. Është një rrugë e thjeshtë për të qenë e sigurt se gjatë festës do ketë vetëm muzikë që të pëlqen.

Ushqimi:

Ndonjëherë bufetë mund të jenë më pak të kushtueshme se sa darkat apo drekat ku njerëzit ulen në tavolina. Konsultohu me një person që merret me këtë nëse mund të jetë një alternativë më e mirë. Bufetë janë më të thjeshta edhe për të kënaqur të ftuarit që e shijojnë ushqimin se sa të shtrosh një darkë me shumë mundësi zgjedhjeje.

Kufizo barin e hapur: Ta kufizosh barin e hapur tradicional në më pak kohë ose në më pak mundësi zgjedhjeje i shkurton me të vërtetë shpenzimet.

Bëj një tortë më të vogël: Tortat e dasmës janë të të gjitha formave dhe përmasave, por sa më luksoze pamja e jashtme, aq më e kushtueshme është torta. Tortat me një kat janë shumë më të lira se ato të lartat. Në rast se ti do një tortë me kate për të bërë foto duke e prerë, merr një të vogël dhe ndërkohë përdor një tjetër në formë të thjeshtë për t’ua servirur të ftuarve. Ajo shijon njëlloj, dhe pse nuk duket njëlloj, kështu që vendos nëse është e domosdoshme të shpenzosh aq shumë.

Bli me shumicë: Ushqimet dhe pijet janë më të lira kur blihen me shumicë. Kështu që përpiqu të blesh gjërat kryesore kështu. Vera dhe shampanja mund të sjellë një ulje të dukshme shpenzimesh po të mos blihet në shishe.

2 Comments

  1. bane ni torte me cokolat me shkumm me pelqen tung klm

  2. very good

Komento