Simptomat dhe shenjat e meningjitit

Çka është meningjiti?

Meningjiti është infeksion serioz i mbulojës së trurit dhe kordonit spinal që shkaktohet nga mikrobet, duke përfshirë viruset, bakteret dhe kërpudhat.

Meningjiti i shkaktuar nga kërpudhat është i rrallë, më së shumti është evidentuar tek njerëzit që kanë probleme me sistemin imunitar, për shembull me kancer apo HIV/AIDS.

Meningjiti bakterial në anën tjetër, është sëmundje serioze që kërkon trajtim emergjent dhe hospitalizim.

Bakterie të ndryshme mund ta shkaktojnë meningjitin. Tek të porsalindurit, më së shpeshti e shkakton Group B Streptococcus (GBS) dhe Escherichia coli. Tek foshnjat mbi 2 muajshe, Streptococcus pneumoniae (pneumococcus) dhe Neisseria meningitidis (meningococcus) janë shkaktarët në të shumtën e rasteve të meningjitit.

Simptomat dhe shenjat

Simptomat e para të meningjitit janë më të lehta me temperaturë, bllokim në hundë dhe kollë. Simptomat përkeqësohen dhe simptomat klasike të meningjitit që shfaqen janë: kokë dhembja, temperatura dhe ngrirje e qafës.

Simptoma të tjera mund të jenë: të vjellura, ndjeshmëri ndaj dritës, mpirje, ndjenjën që nuk jeni mirë, puçrra të kuqe apo roze, njolla të errëta, humbje të energjisë, lodhje. Të porsalindurit mund të kenë simptome të pasakta, si psh. të qara, humbje apetiti, irritim, pështymë më të shpeshtë se zakonisht, të vjella, dhe temperaturë të ulët trupore.

Nëse fëmija juaj ka ndonjë nga këto simptome të meningjitit, ju duhet të kontaktoni mjekun apo ambulancën menjëherë.