Të bërit prind është më tepër se të pasurit një bebe

Të bërit prind është më tepër se të pasurit një bebeE, me sa duket, ligji i natyrës, “një jetë lind për të krijuar jetë pas saj”, duket të jetë kuptimplotë në çdo aspekt. Deri në datëlindjen e parë të fëmijës së parë, gjithçka duket perfekte.

Pas kësaj, studimet tregojnë që çiftet kundërshtojnë njëri-tjetrin të paktën 90% më tepër se më parë. Jo vetëm kaq … , konfliktet rriten, marrëdhëniet e tyre janë disa herë më të ulëta dhe, mbi të gjitha, thuhet se çiftet shohin anën negative më tepër se atë pozitive tek njëri-tjetri.

Pjesa më e madhe e konflikteve në çift është e shkaktuar nga fëmijët me emocionet dhe sjelljet e tyre. Duket se lidhja e prindërve me fëmijën ndikon psikologjikisht në “veset” që ai krijon.

Sipas psikologëve është e rëndësishme që, sidomos pas 16-mujorëshit të parë, prindërit të bëjnë kujdes me fëmijën e tyre. Është kjo faza ku çifti duhet të rimarrë veten dhe t’i kthehen lidhjes së mëparshme, ndoshta edhe më me forcë. Por, realisht, një përqindje fare e vogël arrin ta bëjë këtë duke ndikuar tek fëmija më tepër negativisht se sa pozitivisht.

Është ora 3 e natës dhe bebja disaditësh është duke u grindur përsëri. Mamaja është e rraskapitur. Prej javësh bën vetëm disa minuta gjumë. Mbi të gjitha, ajo ndihet e izoluar, shikon se si bashkëshorti bën një jetë të vërtetë jashtë shtëpisë. Ai pret vetëm që t’i kthehet jetës së mëparshme. Ndoshta ajo s’do të vijë më kurrë. I lodhur nga pritja, ai harron të kthehet në shtëpi, mendimi se fëmija do të përforconte lidhjen e tyre ishte thjesht… Në këtë situatë ndodhen jo pak çifte në hapat e parë të jetës së tyre.

Të studiosh për t’u bërë prind

Të bërit prind është puna më e vështirë që ka patur ndonjëherë njerëzimi. Por, vështirësia qëndron tek dëshira dhe kënaqësia që merr çifti, duke përmbushur jo vetëm ligjin e natyrës, por edhe atë të trashëgimisë. Në disa universitete të Amerikës po diskutohet aplikimi i orëve të mësimit në lëndën e të bërit prind.

Sipas psikologëve, kjo do të jetë përgatitja më e mirë psikologjike që do t’u bëhet kandidatëve për t’u bërë prindër. Fazat më të rëndësishme janë 6 javë gjatë shtatzënisë dhe disa orë kur fëmija është në javën e 6-8 dhe në muajin e 6, pasi, sipas psikologëve, kjo njihet si periudha më e vështirë edhe për prindërit, edhe për fëmijët.

Studimet janë falas dhe do të pranohen vetëm ato çifte që presin fëmijën e tyre të parë. Gjatë këtyre studimeve çiftet përgatiten psikologjikisht se  si të pranojnë ndryshimet në jetën e tyre, si të pranojnë kundërshtimet e njëri-tjetrit, si të ndihmojnë në rritjen e foshnjës dhe, mbi të gjitha, si të pranojnë që në jetën e tyre nuk do të mund të jenë më vetëm dy.

Fenomeni i rrotës së tretë
Psikologët mendojnë se të komunikuarit i mban partnerët të lidhur fort pas njëri-tjetrit, edhe pse marrëdhënia e tyre ka pësuar ndryshime drastike. Mënyra më e mirë është të uleni dhe të bisedoni me njëri-tjetrin. Mos kritikoni! Tregohuni i ëmbël edhe kur situata nuk është fort e këndshme! Ruajeni sensin e humorit me veprime që i bëni pa instruksione!
Një pikë e rëndësishme është bërja e kompromiseve, gjetja e zgjidhjeve dhe përkujdesi i përbashkët. Të gatuarit, ushqyerit në mëngjese, larja e fëmijës apo rrobave të tij, etj., janë momente që e mbushin së tepërmi jetën familjare.

Kohë për të qenë dy

Për ta mbajtur marrëdhënien tuaj të fortë, duhet me doemos të kuptoni që s’ka më vend për të qenë tre. Në çdo aspekt fëmija është familja e re, por mos harroni se të qenët përsëri dy është thelbësore në një marrëdhënie. Edhe pse jeta juaj është e tejmbushur, mos harroni që duhet të planifikoni me patjetër. Provoni të vendosni data, ndoshta javore. Momente të bukura mund të krijohen në çdo moment, edhe kur jeni duke bërë darkën, larë enët, apo duke bërë gati krevatin për gjumë. Elementët krijues ndikojnë psikologjikisht në rindërtimin e marrëdhënieve.

Kjo ndihet më tepër tek prindërit e rinj, të cilët do të surprizohen me ndjenjën e pashpjegueshme të xhelozisë. Psikologët këtë e quajnë fenomenin e rrotës së tretë. Të tillë ndihen prindërit, për tri arsye madhore: së pari, mungesa e partneres, së dyti, kalimi i kohës më tepër me foshnjën se sa me bashkëshortin dhe se fundi, ndjenjën e pamundësisë për të kontribuar mjaftueshëm në rritjen e fëmijës. Realisht, këto ndjenja janë normale kur struktura e familjes ndryshon rrënjësisht.

Mamaja ka sfidat e saj të “mundimshme” që nga ndryshimi i formave trupore, rrathët e syve që krijohen nga të ushqyerit natën të fëmijës, vështirësia e rikthimit në imazhin e partneres së mëparshme. Për këtë e të tjera arsye, femrat e kanë të vështirë të përshtaten psikologjikisht me ndryshimet. Të qarat e fëmijës do të jenë një tingull drithërues për shumë vite, duke u bërë kështu të ndjeshëm në çdo moment të ditës tuaj.

Sipas psikologëve, para vendimit madhor për t’u bërë prindër, duhet të mbani parasysh:

1. Ndryshimet personale

Psikologët këshillojnë që, me gjithë ndryshimet gjatë kësaj ngjarjeje madhore, çiftet duhet të shmangin me patjetër të bërit një person ndryshe. Provoni të pyesni veten, a jeni vërtet i aftë për t’u bërë prind:
• A jam unë i aftë për t’u bërë prind?
• A mund ta përballoj unë shtimin e përgjegjësive për të mbajtur një fëmijë?
• Çfarë stili jetese kam unë?
• Çfarë lloj ndryshimesh do të më duhet të bëj?
• A jam unë gati t’u kushtoj më pak kohë dëshirave personale?
• A do mundem të ndjehem mirë me ndryshimet e të kujdesurit për bebe?
• Cilët janë qëllimet prioritare: familja, shkolla apo karriera?

2. Ndryshimet e marrëdhënieve në çift

Të qenët prind është një punë 24-orëshe në 7-ditë të javës. Energjinë e merr vendi i prindërit, duke krijuar pak tendosje në marrëdhënien e çiftit. Ndryshimet e lartpërmendura në jetën e çiftit vijnë gjithnjë duke u shtuar me kalimin e viteve, e, nga ana tjetër, gjithnjë e më tepër rritet kënaqësia e të bërit prind.

Bëni vetes pyetjet e mëposhtme:
• Cilën ndarje do të bëni ju në raportin midis punëve të shtëpisë dhe mbajtjes së bebes?

• Cilët janë planet tuaja në kohën e punës apo shkollës?

• Si ndiheni secili në këto plane?

• Si ndiheni ju rreth vendimeve të marra në marrëdhënien tuaj?

• Si ndiheni me vendimin e përbashkët për të pasur ose jo një fëmijë dhe kur?

• Si ndiheni në momentet e ndarjes së intimitetit?

• Si e harxhoni kohën tani si çift?

• A do vazhdoni të gjeni kohë për veten dhe në jetën si çift?

Ndryshime të tjera

Marrëdhëniet me shokët, familjarët e tjerë, supervizorët apo me kolegët, në përgjithësi mund të japin efekte pozitive në jetën e çiftit. Bisedat e gjata dhe tregimi i eksperiencave të ndryshme, veçanërisht atyre pozitive, mund të jenë ndihmëse dhe sfiduese ndaj vështirësive të shumta.

Kërkesa të reja

Mund të duket e habitshme, por shumë prej çifteve u tremben ndryshimeve që do të ndodhin në jetën e tyre. Shprehje të tilla si: “Flini tani, se kur të vijë bebja në jetë nuk do të keni kohë as për të mbyllë sytë, mund të duket drithëruese për çiftet e reja”. Është e vështirë të bëhesh prind, por më e vështirë është të sillesh si i tillë. Në raste të tilla çiftet kanë vërtet nevojë për një pushim të vogël, madje me disa seanca psikologjike ndërmjet tyre.

Keni vendosur të keni një bebe?

Bëni kujdes të:

◘ Ndani kush është përgjegjës, për çfarë.
◘ Llogarisni financat.
◘ Kujdesin për fëmijën.
◘ Shëndetin dhe stilin e jetesës.
◘ Mjedisin në të cilin jetoni.

◘ Stilet e prindërit./Telegrafi/

Komento