Te çmendura pas kepuceve “Louboutin”

Të gjithë kemi dëgjuar për të famshmin Christian Louboutin. Kemi dëgjuar se nuk ka më asnjë aktore, këngëtare, apo modele që të dalë nga shtëpia e tij pa veshur këpucët e punuara aq bukur nga mjeshtri i madh francez.

Me lloj-lloj modelesh, formash e ngjyrash, të punuara me finesë dhe elegancë, këpucët “Louboutin” renditen të parat në klasifikimin e më të preferuarave nga femrat.

Suzana, një 30-vjeçare e çmendur pas modës, tregon se aq shumë i adhuron këpucët “Christian Louboutin”, saqë edhe kur është në shtëpi duke marrë pluhurat apo duke bërë ndonjë gjë tjetër të vogël, preferon t’i mbajë veshur. Në dhomën e saj ka një dollap të madh të mbushur me këpucë, ku mban edhe të preferuat e saj: një palë të zeza të shndritshme me takë super të lartë. Sigurisht, Christian Louboutin. “Kam këpucë të shumë stilistëve të tjerë, por çmendem pas tyre”, tregon ajo. Suzana nuk është e vetmja.

Ndodh shpesh që femrat bëjnë çmenduri për një palë “Louboutin”. Ka nga ato që blejnë me dhjetëra palë dhe nuk i veshin fare. Shkrimtarja Danielle Steel ka 6000 palë. Ka nga ato që mbajnë me orë të tëra radhë për të hedhur ndonjë autograf në tabanin e këpucës nga vetë Louboutin.

Por ka edhe më keq: femra që zhyten në borxhe për këto “krijesa” të mrekullueshme, çmimi më i ulët i të cilave është 495 euro, ndërsa ai më i larti nuk mund të thuhet, sidomos kur kërkon ndonjë palë sipas dëshirës me taban të kuq, taka të larta dhe të mbuluara krejtësisht me rubinë. Por çfarë i bën femrat të çmenden pas tyre? Takat super të larta, që theksojnë në mënyrë sensuale harkun e këmbës? Tabani i kuq, shenjë dalluese e firmës, apo modelet dhe zbukurimet marramendëse?

Ndoshta, por jo vetëm: duhet të jetë “magjia” e Christian që bën këtë efekt. Atë e gjen çdo ditë në rrugën “Zhan Zhak Ruso”, në një nga lagjet më të famshme parisiene, ku ka laboratorin e tij të punës që prej vitit 1992. Jo më kot e quan çerdhja e tij e preferuar. Aty hapi edhe butikun e parë, që vazhdon të jetë po aty. “Kam lindur në këtë qytet.

Është kaq i bukur. Më pëlqen të udhëtoj nëpër botë, por gjithmonë të kthehem sërish këtu. Jam i ndërgjegjshëm që ne gazetarët mund të jemi të paedukatë, madje ndonjëherë të frikshëm”. Shtëpitë janë një nga pasionet e tij të mëdha. Blen nga një të tillë në çdo vend me të cilin dashurohet: një kështjellë në Normandi, një shtëpi në Veriun e Italisë, një në Egjipt… udhëtimet janë një tjetër pasion i stilistit që shumë e cilësojnë si “magjistarin e këpucëve”.

“Më pëlqen shumë të vizitoj vende të reja, sapo mundem të kem pak kohë të lirë. Dua të shkel në çdo cep të botës. Për më tepër, nëse diçka më pëlqen dhe dua të kthehem sërish ta vizitoj, nis menjëherë përpjekjet për të blerë një shtëpi dhe për t’u rikthyer sa herë që dua”. Gjithsesi duhet thënë se edhe në kohë krize, gjërat për të kanë ecur mrekullisht. Thonë se çdo vit ai shet më shumë se 340 mijë palë këpucë.

Këto kohë ka shtuar hapjet e butikëve, që gjithsesi nuk shkojnë më shumë se 20 në të gjithë botën. Klientët e luksit i janë rikthyer prej kohësh “vlerave të sigurta”, por në fakt këpuca me shuall të kuq nuk del kurrë nga moda. Modelet e tij të preferuara dhe ato që kushtojnë më shumë janë ato me gurë të shtrenjtë, lëkurë gjarpri dhe krokodili.

Gjithçka nisi kohë më parë. “Isha 12-13 vjeç, nuk më kujtohet mirë. Në një muze ndalohej hyrja e grave me këpucë me taka, sepse mendohej se shkatërronin parketin”. Pikërisht aty lindi edhe pasioni. “Nisa të dizajnoja vazhdimisht këpucë për gra, në çdo kohë. Në mënyrë thuajse të fiksuar”. Për më tepër, të gjitha me taban të kuq. Një tjetër etapë e rëndësishme do të niste në jetën e tij.

“Në moshën 16-vjeçare fillova të frekuentoja ‘Folies Bergère’. Çoja kafenë, bëja gjithçka. Nisa të dizajnoja këpucë edhe për to, por nuk u prodhuan kurrë”. Por ndodh që edhe ëndrrat bëhen realitet. Më vonë pati rastin të krijonte këpucë, ashtu siç ai kishte ëndërruar për performancat e Dita Von Teese apo Arielle Dombasle në “Crazy Horse”.

“Jam i çmendur pas komedive muzikore”. Kështu lindi stili i “Louboutin”: elegant, francez, femëror. Ai tregon se e gjen frymëzimin për modelet e reja nga udhëtimet. “Vitin e kaluar, në Damask takova një artizan vendas të mrekullueshëm. Në koleksionin tim të fundit përdora shumë materiale dhe pambuk sirian”. Ajo e veshjeve është një tjetër dashuri e madhe. E pranon se vishet thjeshtë, bukur dhe me klas. Ata që preferon? Sigurisht stilistët më në zë francezë.

Komento