Të mirat e pjepërit

Të mirat e pjepëritKur janë në pyetje frutat verore dhe perimet, me siguri se shalqiri dhe pjeshkat së pari ju vinë në mendje, por ekziston edhe një tjetër perime e shijshme, sezoni i së cilës është tani dhe që patjetër duhet të gjendet në tryezën tuaj.

Në pyetje është pjepri. Kjo perime i përket të njëjtës familje si shalqiri, kungulli dhe trangulli.

Ai është i pasur me vitamina dhe minerale dhe përmban një përqindje të lartë të vitaminave C, B, beta-karotenit, si dhe kalcium, kalium, magnez, fosfor, hekur dhe bakër. Gjithashtu, një pjepër përmban tri herë më shumë kalium se sa një shalqi. Falë përqindjes së lartë të ujit, rreth 95 për qind, përqindjes së ulët të sheqerit dhe shijes së shkëlqyer dhe aromatike, kjo perime është tepër freskuese gjatë verës.

Uji nga pjepri stimulon veshkat, rregullon presionin e gjakut, kurse nivelet e larta të fibrave ndihmojnë tretjen. Beta-karoteni ndihmon në luftë kundër kancerit, kurse një hulumtim i fundit tregon se pjepri mund të përdoret në luftën kundër disa lloje të kancerit. Mund ta hani atë kurdo dhe sa të doni, kurse këtu keni disa arsye pse duhet të konsumohet më shpesh, shkruan gazeta Zëri.

– Pjepri është ideal për detoksifikimin e trupit dhe ndihmon kundër gazrave. Kjo perime përmban 300 miligram kalium për 100 gram dhe ndihmon trupin për të larguar natriumin e tepërt dhe në këtë mënyrë ul presionin e lartë të gjakut.

– Lëngu i pjeprit është përdorur më parë për lehtësim të dhimbjeve. Nëse doni të hiqni qafe dhimbjet, lyeni vendin e lënduar me lëng të shtrydhur pjepri apo copa të tij të prera imët.

– Në mjekësi popullore pjepri është përdorur për freskim dhe si qetësues.

– Pjepri përdoret kundër gurëve në veshka, qetëson irritimet nga pickimi i insekteve, djegiet, sëmundjet e stomakut dhe zorrëve.

– Pjepri nuk trash, prandaj është ideal nëse dëshironi të humbni peshë.