Të qeshurat i bëjnë mirë shëndetit

Me efekte të ngjashme me ato të sportit, të qeshësh ul tensionin e gjakut, redukton stresin, stimulon oreksin dhe vendos në punë sistemin imunitar.

Analizat më të përparuara biologjike konfirmojnë sot atë që Norman Cousins kishte nuhatur që në vitet ‘70. Drejtori i shumë gazetave dhe pacifisti amerikan vuante nga shumë sëmundje.

Kur mjeku i diagnostikoi një patologji të rëndë në zemër, ai vendosi të vetëkurohej, sipas një terapie të bazuar te filmi i vëllezërve Marx. “Dhjetë minuta e qeshur më bënte të flija pa dhembje për disa orë. Kur efekti mbaronte, ndizja sërish televizorin”, tregonte ai. Më shumë se sa për medaljen e paqes së Kombeve të Bashkuara të fituar në vitin 1971, sot Cousins mbahet mend si babai i terapisë së të qeshurit.

Pikërisht atij, i prekur nga një sëmundje e dhimbshme reumatizmale me origjinë autoimune, mjekët e mbledhur në Kongresin e Biologjisë Eksperimentale Amerikane i dedikuan një minutë heshtje dhe më pas një të qeshur, duke kujtuar se pikërisht e qeshura vë në lëvizje sistemin imunitar, duke luftuar patologjit

ë infektive nga njëra anë dhe ato autoimune në tjetrën. Por nëse Cousins kishte arritur në këtë përfundim falë intuitës, mjekët e Loma Linda University në Kaliforni kanë vepruar në një mënyrë më shkencore, duke marrë disa dhjetëra vullnetarë, që në vend që t’i nënshtroheshin terapisë me ilaçe, siç ndodh në këto raste, i vunë të shikonin filma apo skeçe komike, që ata vet i kishin zgjedhur. Eksperimenti zgjati tri javë, me fragmente komedish secili prej 20 minutash që “pacientët” i “merrnin” çdo ditë. Para dhe pas kontrollit, mjekët bënë analizat e gjakut, duke i krahasuar me ato të bëra pasi kishin parë filma të trishtuar që u shkaktonin ankth, si “Shpëtoni ushtarin Rajan”.

Lee Berk, specialist në mjekësinë parandaluese, i cili ka drejtuar studimet, vërejti te pacientët e trajtuar me të qeshura zanore dhe të tejzgjatura, te të gjithë personat me rrezik diabeti dhe me nivel të lartë të yndyrave në gjak, përmirësim të ekuilibrit hormonal. Kortizoli dhe epinefraina (dy substanca që shtohen në periudha stresi) ishin ulur.

E qeshura të paktën një herë në ditë kishte zvogëluar edhe nivelin e leptinës dhe kishte rritur atë të grelinës, me efektin e përmirësimit të oreksit. Nëse ky efekt sekondar i së qeshurës nuk mund t’u këshillohet obezëve, nënvizon Berk, të qeshurit bëhet aleat i rëndësishëm për personat që i nënshtrohen kimioterapisë, të shtruar në spital për një kohë të gjatë apo në depresion pas një humbjeje. Efekti i filmave komikë në gjak ishte për t’u vlerësuar edhe porsa i përket nivelit të kolesterolit.

Ekipi i mjekëve kalifornianë ka vërejtur reduktimin e kolesterolit të keq. Po ashtu ulet edhe niveli i të gjitha proteinave që tregojnë një gjendje infiamacioni të sistemit kardiovaskular dhe shoqërohen me rrezikun e arteriosklerozës. Të gjitha këto efekte pozitive, që së bashku ndikojnë në rregullimin e tensionit të gjakut dhe të përmirësimit të përgjithshëm të humorit, i bënë mjekët amerikanë të arrinin në përfundimin se një e qeshur e zgjatur është ekuivalente me një orë që mund të merresh me sport.

Të qeshësh ka efektin e ndryshimeve të shumë aspekteve të shëndetit njerëzor dhe përgjigjja e organizmit ndaj saj është e njëjta me atë pas një aktiviteti fizik të moderuar, përfshi edhe shtimin e oreksit”, ka shpjeguar Berk. “Punoj në repartin e neurokirurgjisë dhe isha me tre fëmijë në reanimacion. Më kërkuan t’u tregoja një barsoletë dhe ia arrita qëllimit, sepse i bëra të qeshnin.

Është e rëndësishme të kuptojmë se ne mjekët nuk punojmë vetëm me bisturi dhe ilaçe. Duke qeshur, dy njerëz mund t’i thonë njëri-tjetrit ‘të kuptova, të dua shumë’. E qeshura është një mekanizëm universal dhe shumë i thjeshtë. Por për të ndihmuar personat që vuajnë duhet zhvilluar edhe pjesa e tyre kulturore dhe afektive. Është një diskutim më i madh se sa një buzëqeshje e thjeshtë, që shfrytëzon artin në përgjithësi, përrallat, poezitë dhe shumë të tjera”. Por edhe më parë, studimet nuk kanë munguar. E qeshura nuk është përgjigjja intelektuale e diçkaje argëtuese, por një mjet instiktiv i mbijetesës, tipike e kafshëve sociale, që e përdorin atë për të ruajtur specien. Pra, duhet të qeshësh që të mos vdesësh.

Këtë fakt na e tregon një studim i kryer për më shumë se 20 vjet nga Robert Provine, pedagog psikologjie dhe i neuroshkencave pranë Universitetit të Maryland. Sipas tij, e qeshura “është një akt i trashëguar, antik dhe i gjallë, që tregon burimin e përbashkët të të gjitha qenieve njerëzore, ndoshta të të gjithë gjitarëve”.

Nga Platoni tek Aristoteli, nga Kant te Shopenhaur, nga Hobs te Frojdi, shkencëtarë e mendimtarë, për më shumë se 2000 vjet janë munduar ta kuptojnë dhe ta shpjegojnë këtë shfaqje njerëzore, shumë natyrale dhe në të njëjtën kohë misterioze.

Ka qenë babai i teorisë së evolucionit, Çarls Darvini, i pari që e ka aplikuar metodën shkencore në studimin e buzëqeshjes dhe të emocioneve në terma të zakonshme. Në “shprehjen e ndjenjave te kafshët dhe njeriu”, Darvini skicoi për herë të parë studimin e sjelljes kafshërore, sipas një perspektive evolucioniste, që më pas do t’i jepte shtysë në shekullin pasardhës etologjisë. “Është një mjet i shpejtë për të sinjalizuar gatishmërinë tonë dhe bashkëveprimet miqësore”.

Komento