Terapi-shëruese me ujë të ftohtë

Terapi-shëruese me ujë të ftohtëNëse keni dyshime se nuk mund ta duroni dot ujin e ftohtë, këshillohuni më parë me mjekun tuaj. Për çdo trajtim me ujë të ftohtë, jeni të lutur të ndiqni rregullat e mëposhtme paralajmëruese:

Mos përdorni kurrë ujë akull të ftohtë në asnjë lloj trajtimi
Uji i ftohtë, sipas Alexa Fleckenstein, nënkupton ujë nga 13-20°C. Në dimër, kur uji i rubinetit është më i ftohtë, shkurtoni kohën e qëndrimit në të! Nëse jetoni në zona të ngrohta dhe uji është më i ngrohtë sesa duhet, zgjateni qëndrimin në të. Një marifet tjetër është të mos fshiheni me peshqir, por ta lini ujin të avullojë vetë nga trupi përpara se të visheni.

Kurrë mos bëni trajtim me ujë të ftohtë, kur trupi ose pjesë të tij janë të ftohta
Nëse jeni të ftohtë që në fillim, kjo terapi nuk do të funksionojë. Nëse brenda pak minutash pas përfundimit të trajtimit me ujë të ftohtë keni ende ftohtë, kjo do të thotë se trupi nuk është në gjendje ta krijojë nxehtësinë e tij natyrale.

Trupi mund të ketë qenë tepër i ftohtë ose pa energji që përpara trajtimit. Në çdo rast, duhet të merrni masa që të ngroheni sërish. Këtë mund ta arrini duke futur shputat në ujë të ngrohtë, duke bërë një banjë më ujë të ngrohtë, dush me ujë të ngrohtë ose duke u veshur e duke ecur më pas me vrull ose duke bërë ndonjë ushtrim tjetër.

Ndiqni ritmin tuaj
Merreni shtruar dhe mbani parasysh gjendjen fizike dhe ngacmimet që mund të duroni.

Të rinjtë dhe njerëzit e shëndetshëm mund të jenë në gjendje të fillojnë menjëherë me një dush të shpejtë me ujë të ftohtë, kryesisht gjatë verës ose në vendet e ngrohta.

Njerëzit më pak të fuqishëm mund ta ndiejnë të nevojshme të përparojnë gradualisht, duke lagur në fillim shputat, duart dhe fytyrën e duke kaluar më pas në gjithë trupin.

Të moshuarit dhe njerëzit e pafuqishëm duhet të fillojnë duke e fërkuar gjithë trupin me një shtupë të lagur me ujë të ftohtë e të shtrydhur paksa.

Njerëzit shumë të sëmurë duhet të mjaftohen me larjen me ujë të ftohtë të vetëm një pjese të trupit – për shembull, shpinën, për të parandaluar pneumoninë.

Njerëzit janë të ndryshëm
Ngacmimi i ftohtë duhet të jetë sa më normal, në mënyrë që të mos jua dobësojë trupin, por edhe aq i fortë sa është e nevojshme për të nxitur prodhimin e nxehtësisë natyrale. Kohëzgjatja e trajtimit me ujë të ftohtë mund të ndryshojë nga personi në person, ngaqë çdo njeri është i ndryshëm.

Njerëzit reagojnë ndryshe ndaj të njëjtit trajtim, varësisht nga stina, moti, ora e ditës, gjendja shpirtërore (nervozë apo të qetësuar) dhe gjendja fizike (të lodhur, të uritur apo të sëmurë).

Pas dushit me ujë të ftohtë, duhet të ndiheni të ngrohtë dhe të gjallëruar. Nëse keni ftohtë, ngrohuni menjëherë duke bërë një banjë ose dush të ngrohtë, por përfundojeni me një lagie me ujë të ftohtë, shumë më të shkurtër se më parë. Gjithashtu, mund të ngroheni me anë të ushtrimeve fizike.

Ndaloni çdo lloj trajtimi, sapo të vini re se nuk ju bën mirë. Përpiquni të gjeni se ç’është më e mira për trupin tuaj.

Komento