Trajtimi me lazer i strieve

Në ditët tona, edhe me përparimet e mëdha në fushën e dermatologjisë, trajtimi përfundimtar i strieve nuk është i mundur.

Shmangia e rritjes dhe rënies së shpejtë nga pesha mbetet një mjet i mirë parandalues, veçanërisht në adoleshentët dhe gratë shtatzana.

Tek adoleshentët, striet mund të përmirësohen me kalimin e kohës.

 

Fillimi i hershëm i trajtimit (në stadin e quajtur striae rubra) ka gjasa të shoqërohet me efikasitet më të lartë në raport me stadin e vonshëm të striae alba, ku qoftë mundësitë e trajtimit, qoftë efikasiteti i trajtimit reduktohet ndjeshëm.

 

Trajtimet e rekomanduara për dëmtimet e strieve rubra përshijnë përdorimin e vitaminës C, acideve të frutave, retinolit dhe substancave të tjera farmakologjike. Edhe përdorimi lokal i tretinoin është raportuar efektiv, por ai duhet shmangur plotësisht gjatë shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji për shkak të efektit nxitës të defekteve të lindura tek fëmijët. Edhe retinoidët e tjerë si adapalene dhe tazarotene janë raportuar efektiv.

 

Trajtimi me lazer pulsues me energji të ulët është treguar efektiv në përmirësimin e pamjes së strieve. Trajtime të shumtë me interval katër deri gjashtë javë janë zakonisht të nevojshme për të patur efekt. Mendohet se trajtimi me lazer rrit sasinë e kolagjenit duke përmirësuar ecurinë e strieve rubra, ndërkohë që efekti mbi striet alba mbetet i dyshimtë. Një studim i kryer së fundi raporton se gati 90% e pacientëve të trajtuar pati përmirësim “të mirë” ose “shumë të mirë” dhe gati 60% patën përmirësim të sasisë së kolagjenit pas trajtimit. Në një tjetër studim, 55% e pacientëve dhe 40% e mjekëve raportuan rezultate të shkëlqyera të trajtimit. Efektet anësore të raportuara ishin minimale.

 

Trajtimi me IPL gjithashtu raportohet i suksesshëm në trajtimin e strieve. Ky trajtim ka efekte të pakta anësore dhe duket të veprojë në të njëjtën mënyrë duke përmirësuar prodhimin e kolagjenit dhe fibrave elastike të indit lidhor.

 

Në rastin e strieve alba, shumë pak trajtime tregohen efikase. Lazeri dhe burimet e dritës UVB arrijnë repigmentim të lëkurës që mbulon striet alba nëpërmjet rritjes së përmbajtjes se pigmentit melanin, hipertrofisë së melanociteve dhe rritjes së numrit të tyre.

 

Në një tjetër studim, përdorimi i lazerit fraksional demonstroi sukses në përmirësimin e pamjes së strieve alba 2 muaj pas trajtimit. Studimi tregoi rritje të trashësisë së epidermës dhe rritje të depozitave të indit kolagjen dhe elastik. Kjo metodë duket se përmirëson aspektin e strieve alba, sidomos pas trajtimeve të përsëritura.

Komento