Transplanti i vetullave

Ne femrat e dimë se sa të rëndësishme janë vetullat për fytyrën tonë. Që sot është zbuluar një sistem i ri për të pasur vetulla perfekte edhe atëherë kur nuk ju pëlqejnë. Në ndihmë ju vjen kirurgjia plastike

Duke qenë se jemi futur në stinën e vjeshtës, makijazhi duhet të jetë më i lehtë: gjatë ditës nuk duhet ta teproni me “make up”-in. Zgjidhni ngjyra të lehta dhe që i përshtaten vjeshtës.

Megjithatë, kujdesi ndaj detajeve duhet të jetë i rëndësishëm, sidomos për sa i përket eliminimit të pushit të fytyrës që qimeve të tepërta që zakonisht dalin në mjekër dhe poshtë vetullave.

Zakonisht kur shohim vetullat në pasqyrë, mendojmë me vete se nëna natyrë nuk është treguar shumë bujare me ne, sidomos me femrat. Tri janë arsyet që femrat do të kishin preferuar më shumë të mos i kishin fare vetullat, megjithatë sot zgjidhet lehtësisht çdo problem.

Vetullat janë një tipar që bëjnë diferencën te femrat, duke ndikuar jashtëzakonisht te linjat e fytyrës. Për të pasur vetulla të bukura, nëse jo në mënyrë natyrale, atëherë mund t’i drejtoheni zgjidhjeve “artificiale”, siç janë lapsi dhe makijazhi.

Sot falë kirurgjisë plastike mund të kemi edhe një zgjidhje tjetër më të pranueshme dhe më efikase se dy të mësipërmet: “transplantin e vetullave”. Le ta shpjegojmë me fjalë të tjera: merret një rrip i hollë në pjesën fundore të kokës, pranë qafës (ku receptorët hormonalë nuk janë shumë të ndjeshëm dhe flokët më të butë) dhe vendohet mbi harkun e vetullave.

Folikulat vendosen në radhë njëra pas tjetrës, në mënyrë që të arrihet forma natyrale. Përfundimi? Vetulla të dendura dhe natyrale, por në të vërtetë duke qenë flokë, kanë nevojë për një kujdes më të madh estetik, këtu përfshihet rritja e tyre, prandaj duhen shkurtuar e rregulluar të paktën një herë në muaj.

Duket diçka e dhimbshme dhe shumë e vështirë, por në vërtetë nuk është e tillë. “Operacioni nuk ndihet duke qenë se bëhet me anestezi lokale, zgjat rreth tri orë dhe jep rezultate të mira. Qimet duhet të vendosen mbi harkadën e vetullave”, thotë një doktor i kirurgjisë plastike.

Krahasuar me transplantin e flokëve, kostoja është më e përballueshme, (natyrisht që ky i fundit është më i vështirë si operacion, sidomos kur bëhet fjalë për disa zona të veçanta të kokës). Kjo teknikë moderne ka lindur në Angli dhe kushton 4000 sterlina.

Sipas mendimit të doktorit të kirurgjisë plastike, kjo është një shifër paksa e tepruar. “Një ndërhyrje për zëvendësimin e flokëve të humbur kushton 5000 euro dhe përfshin njëmijë fije floku, ndërsa për atë të vetullave nevojiten rreth 50 qime flokësh, prandaj edhe çmimi duhet të ulet edhe më shumë”.

Në Itali operacioni kushton nga 2500-3000 euro, një çmim jo shumë i kripur dhe i pranueshëm. Rezultatet janë të kënaqshme duke qenë se shumë femra zgjedhin t’i nënshtrohen këtij operacioni, madje janë shumë të kënaqura.

Nëse nuk e përballoni dot çmimin e transplantit, apo nuk dini se si t’i rregulloni vetullat, ja disa këshilla për të qenë më të bukura dhe për të pasur një shikim më tërheqës.

Sekreti i formës ideale për vetullat tuaja, që ndoshta i preferoni të holla ose të trasha, është ky: merrni një laps dhe vendoseni përgjatë anëve të hundës, shënoni pikën ku fillojnë qimet; pastaj për të shënuar kulmin e harkut spostojeni majën e lapsit si kompas gjatë pjesës së jashtme të syrit derisa bashkohet me vetullën.

Të njëjtën gjë bëni edhe me vetullën tjetër. Spostojeni majën e lapsit si kompas, gjithmonë duke e mbështetur anash hundës. Në këtë mënyrë keni shënuar linjën e harqeve të të dyja vetullave dhe mund të filloni me pastrimin e pjesës së poshtme. Këtë gjë do të ishte ideale ta bënit zakonisht pas dushit, kur nxehtësia ka hapur poret dhe qimet mund të hiqen më lehtë.

Pastroni vetëm pjesën e poshtme të harkadës, ngadalë pa prekur pjesën lart të vetullës. Kini parasysh që vetulla duhet të jetë më e trashë në fillim dhe më e hollë në fund. Zakonisht, pas pastrimit, pjesa poshtë vetullave skuqet, ndaj është e këshillueshme që vetullat të hiqen në darkë, para se të flini.

Ose 3-4 orë para se të dilni. Piskatorja që heq qimet duhet të jetë e pastër dhe e dezinfektuar me alkool. Pasi të keni hequr qimet e tepërta dhe ta keni pastruar vetullën me një furçë të vogël, bjerini sipërfaqes me një laps që i përshtatet vetullës dhe ngjyrës së lëkurës, për një rezultat më natyral.