Udhëzime të reja për alergjinë nga kikirikët

Fatkeqësisht, shumë njerëz kanë alergji nga kikirikët dhe mund të kenë reaksion prej tyre, si acarim të lëkurës, apo lot në sy, e deri tek alergjitë e forta që mund të shkaktojnë vdekjen.

Prindërit i kanë këshilluar që të mos u japin ushqime me kikirikë fëmijëve nën moshën 3-vjeçare.

Por, disa udhëzime të reja të Instituteve Kombëtare të Shëndetit sugjerojnë që fëmijëve t’u jepen produkte të kikirikëve në moshë të vogël, për të parandaluar zhvillimin e alergjive.

Kikirikët janë mes ushqimeve më popullore për vaktet e zemrës. Sanduiçi me gjalpë kikiriku dhe reçel është një drekë tipike për fëmijët amerikanë.

Por rreth 2 për qind e nxënësve amerikanë kanë alergji nga kikirikët dhe kjo shifër është duke u rritur. Deri tani, mjekët pediatër kanë këshilluar që fëmijëve nën moshën 3 vjeçare të mos u jepen ushqime me përmbajtje kikirikësh. Por një studim i kryer në vitin 2015 në Britani, tregon se ky fakt mund ta ketë shtuar më shumë problemin.

“Është vënë re, se në Izrael, ku është e zakonshme që foshnjave t’u jepen kikirikë në muajt e parë të jetës, rastet e alergjisë janë shumë më të rralla se sa e fëmijëve hebrenj që jetojnë në Britani, rreth 80 për qind më pak”, thotë Dr. Fauci.

Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, thotë se ky zbulim i habitshëm do të thotë se foshnjat kanë në trupin e tyre një mekanizëm, i cili mund të stërvitet për të mos reaguar negativisht ndaj kikirikëve. Ky mekanizëm mund të ndryshojë, kur fëmijët mbushin 1 vjeç. Ai thotë se një ekip ekspertësh ranë dakord për disa udhëzime të reja për pediatrit amerikanë, të specializuar për alergjitë e fëmijëve.

“Në se një fëmijë ka pasur acarim të rëndë të lëkurës, deri në ekzemë, apo alergji nga vezët në 4 deri 6 muajt e parë të jetës, ai duhet çuar tek një specialist i alergjisë, i cili t’i bëjë analizë gjaku, apo të lëkurës, për të përcaktuar në se fëmija ka alergji nga kikirikët. Në se fëmija ka alergji, nuk duhet marrë mbi vete rreziku për t’i dhënë atij ushqime me kikirikë dhe në rast të kundërt, atij mund t’i jepen produkte të kikirikëve që në 4-6 muajt e parë të jetës.”

Në se fëmija ka acarim jo të madh të lëkurës dhe alergji jo të fortë nga vezët, pediatri mundet t’i rekomandojë prindërve që t’i japin fëmijës produktet me kikirikë që kur është 6 muajsh. Këtij fëmije nuk është e nevojshme t’i bëhen analiza për kikirikët. Fëmijëve që nuk kanë alergji, apo histori alergjish në familje mund t’u jepen kikirikë në çdo moshë. Ky është përfundimi i studimit të ri për alergjinë nga kikirikët.