Uji në vesh, çfarë të mbani parasysh për fenomenin?

E kush është ai apo ajo që nuk e ka provuar ndjesinë e ujit në njërin apo në të dy veshët pas bërjes së një dushi apo larjes në det ose pishinë? Situata mund të jetë pak e bezdisshme, nuk është gjithsesi e rëndë.

Shpjegimet e një otorinolaringologu specialist nga Parisi, do ju qartësojnë më së miri nëse keni një problem të tillë.

“Uji në vesh është absolutisht diçka e zakonshme”, shpjegon profesor Georges Lamas. “Nëse do të anoni njërën anë të kokës apo veshin të cilin e ndieni ‘të mbushur’ me ujë dhe ta mbështetni atë mbi një facoletë ose pecetë, uji mund të dalë jashtë vetvetiu, edhe pse ky veprim mund të kërkojë pak kohë”.

Kjo situatë verifikohet kur brenda veshit formohet një lloj “tape” (dyllë), e cila pengon daljen e ujit.

“Për këtë duhet t’i drejtoheni një specialisti, sepse, në përgjithësi, ndjesia e veshit të bllokuar vazhdon derisa eliminohet tapa, e cila e pengon ujin të dalë”, thotë otorinolaringologu.

Edhe pse është një rast beninj (jo i rrezikshëm), gjithsesi bëhet fjalë për një problem të përhapur: profesor Lamas thotë se bëhet fjalë për një “arsye të vërtetë shqyrtimi nga një specialist”.

Uji në vesh, rastet patologjike

Në disa raste, uji që grumbullohet në vesh lidhet me një problem specifik:

Ekzema ose inflamacioni i kanalit të dëgjimit të jashtëm

Edhe në rast të një inflamacioni të kanalit të dëgjimit të jashtëm, i shkaktuar për shembull nga një ekzemë, uji ka vështirësi për të dalë.

“Duke e intervistuar pacientin mund të kuptohet nëse ai vuan nga kruajtja e kanalit të veshit. Në këtë rast rekomandohen disa pika kortizon për të lehtësuar kruajtjen, ndërsa pacientit i këshillohet të vendosë pambuk ose tapa të posaçme në veshë, sa herë ka kontakt me ujin”, shpjegon profesor Lamas.

Exostosis ose “veshi i sërfistit”

“Rasti tjetër patologjik, i cili mund ta pengojë ujin të dalë nga veshët janë exostosis“, vazhdon më tej specialisti. Ato në fakt janë filiza shumë të vegjël kockash, të cilat shfaqen në kanalin e veshëve duke zvogëluar hapësirën e tij.

“Kjo patologji është e njohur si ‘veshi i sërfistit’, sepse shkaktohet nga përsëritja e hedhjeve në ujë të ftohtë”. Ndaj këshillohet përdorimi i tapave të posaçme për veshët, të papërshkrueshme nga uji.

Nëse problemi vazhdon dhe bëhet kronik, mund të jetë e rastit t’i nënshtroheni një operacioni kirurgjik për të zgjeruar kanalin e veshit.

Si pastrohen veshët?

Profesor Lamas, ndër të tjera, ndalet edhe mbi disa këshilla të vlefshme mbi këtë argument.

“Veshët kanë një veti vetëpastruese, përderisa dylli del vetë me kalimin e kohës. Kështu që nuk është aspak mirë që kanalin e veshit ta pastroni me ndonjë send si këllëfi i stilolapsit apo edhe me një masë pambuku. Po, pikërisht kështu, sepse pambuku është mirë të përdoret vetëm për pastrimin e pjesës së parë të veshit dhe jo për brendinë e tij. Përndryshe ju do t’u shtonit veshëve edhe papastërti të tjera, të cilat do t’i bllokonin edhe më shumë.

Ndaj, për t’i pastruar mirë veshët, mjafton t’i lani me pak ujë të ngrohtë kur bëni dush, sa herë e ndieni të nevojshme, e më pas t’i thani me një peshqir të butë, duke e anuar kokën sa andej-këtej”.

Ndërkohë specialisti shton se “ndodh shumë shpesh që personat të zhvillojnë një sjellje shumë të keqe ndaj veshëve të tyre, gjë e cila tjetërson funksionin e tyre normal. Me pak fjalë, për të shmangur çdo lloj problemi, më mirë të mos e teproni”.

Uji me kripë a sjell probleme për veshët dhe nëse po, çfarë?

Uji me kripë nuk sjell probleme për veshët. Ndërsa për njerëzit që janë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të veshit dhe që kanë probleme me lëkurën e kanalit të veshit, atëherë uji me kripë i nxit më tepër këto probleme. Kjo gjë ndodh më tepër në periudhën e verës, kur jeni në plazh.

Si duhet të kujdeseni për veshët në plazh?

Në plazh, në qoftë se keni probleme me veshët, është e këshillueshme të përdorni disa tapa plastike ose gome të butë dhe në formë rrathësh, të cilët gjenden shumë lehtë. Këto lloj tapash duhet t’i vendosni edhe kur të bëni dush në shtëpi, për ata që kanë probleme të vazhdueshme me veshët. /Telegrafi/

Komento