Ushqimi i pasur me magnez redukton rrezikun nga sulmi në tru

Analiza e shtatë studimeve që kanë përfshirë rreth 250.000 të anketuar ka treguar që njerëzit të cilët hanë ushqim të pasur me magnez si perimet e gjelbra, frutat arrore, bizelet dhe drithërat e papërpunuara, kanë frekuencë më të vogël të sulmit në tru, veçanërisht të sulmit iskemik në tru.

Kështu është treguar që për çdo 100 miligramë shtesë të konsumimit të magnezit në ditë, rreziku nga sulmi iskemik në tru reduktohet për nëntë për qind.

Tek sulmi iskemik në tru, mpiksja e gjakut bllokon arterien dhe pamundëson rrjedhën e gjakut nëpër të.

Dozat e rekomanduara të magnezit për meshkujt mbi 31 vjeç janë 420 miligramë në ditë, ndërsa për femrat 320 miligramë në ditë.

Shkencëtarët theksojnë që këto efekte pozitive kanë të bëjnë me magnezin që gjendet në ushqim, dhe jo në shtesat e magnezit.

Magnezi

Magnezi është mineral, i cili është kyç për funksionimin e trupit tonë edhe për nga sasia është minerali i katërt në trupin tonë. Rreth 50 për qind e magnezit të përgjithshëm të trupit gjendet në eshtra. Pjesa tjetër gjendet kryesisht në qelizat e indeve dhe organeve. Vetëm 1 për qind e magnezit gjendet në gjak.

Magnezi është i nevojshëm për më shumë se 300 reaksione biokimike në trup, ndërsa i rëndësishëm është edhe për sintezë të proteinave. Magnezi po ashtu ndihmon në ruajtjen e funksionit normal të muskujve dhe nervave, rregullon tensionin e gjakut dhe ritmin e zemrës.

Shtesat e magneziti mund të shkaktojnë të përziera, ngërçe dhe diarre. Po ashtu marrja e shtesave të magnezit nuk u rekomandohet personave që marrin ilaçe për zemër, antibiotikë apo diuretikë.

Personat me diabet apo sëmundje të zorrëve nuk duhet të marrin magnez pa u konsultuar me mjekun.

Shenjat e mbidozës së magnezit përfshijnë të përzierat, diarrenë, tensionin e ulët të gjakut, dobësi të muskujve dhe lodhje. Dozat shumë të larta të magnezit mund të jenë të rrezikshme për jetë.

Komento