Ushqimi që na bën më të mençur

Vitamina B9 është anëtare e familjes së vitaminave të kompleksit B, e që njerëzit e njohin edhe si acidi folik.

Perimet me gjethe të gjelbër, bishtajoret, pemët agrume, si dhe ushqimet e drithërave janë të pasura me përbërës, të cilët ndikojnë edhe në shkallën e inteligjencës.

Një hulumtim i ri i ekspertëve suedezë ka vërtetuar se adoleshentët, të cilët konsumojnë sasi më të madhe të acidit folik, kanë nota më të mira në shkollë.

Kështu bën me dije revista “Pediatrics”. Acidi folik ndryshe quhet edhe vitamina B9, është faktor i rëndësishëm për sintezën e ADN-së, si dhe konvertimin e disa aminoacideve. Mungesa e tij mund të ndikojë në shfaqjen e anemisë.

Krahas perimeve me gjethe të gjelbra, burim i mirë i acidit folik janë edhe bimët bishtajore, farat e lulediellit, pemët agrume, si dhe drithërat, në përgjithësi.

Gjatë studimit që kishin udhëhequr ekspertët nga spitali universitar në Oerebrou kishin marrë pjesë rreth 386 vullnetarë të moshës 15-vjeçare. Ishte vërtetuar se në mënyrë shumë të qartë ekziston lidhja midis konsumit të acidit folik nëpërmjet ushqimit dhe suksesit më të mirë në shkollë.