Vaksina kundër meningjitit B do të shpëtojë fëmijët

Vaksina 4CMenB, siç parashikohet nga mjekët do të parandalojë përhapjen e tipit më të rrezikshëm të meningjitit streptokok, i cili shkakton dëmtimin e trurit, verbërimin, humbjen e dëgjimit dhe vdekjen.

Kundër meningjitit B ekspertët kanë shpikur vaksinën 4CMenB. Për këtë sëmundje jashtëzakonisht të rrezikshme deri tani nuk ka pasur asnjë ilaç.

Vaksina do të hidhet në treg pas disa muajsh, kanë deklaruar prodhuesit nga kompania Novartis në konferencën e Shoqërisë evropiane për sëmundjet infektive të fëmijëve në Hagë.

Ata besojnë se me këtë vaksinë në mënyrë të konsiderueshme do të zvogëlohet vdekshmëria e fëmijëve, si dhe e atyre të cilët për shkak të formës më të rrezikshme të meningjitit bakterial janë verbëruar, kanë humbur dëgjimin, kanë mbetur pa gjymtyrë ose komplikimet e vazhdueshme i kanë dëmtuar trurin.

Vaksina mund t’u jepet fëmijëve qysh në muajin e dytë të lindjes, kurse kompania Novartis ka kërkuar licencë për përdorimin e vaksinës në tërë Evropën.

Testet e bëra kanë dëshmuar se vaksina është jashtëzakonisht efektive dhe me rrezikshmëri minimale nga efektet anësore, ndërsa ka potencial të shpëtojë mijëra jetë fëmijësh në vit, ka deklaruar kryetari i shoqërisë britanike për të sëmurët me meningjit, Steve Dayman.