Vezët e ulin ndjenjën e urisë

Proteinat e vezës në mëngjes, ulin ndjenjën e urisë. Kështu pohon një hulumtim i kryer nga universiteti i Konektikatit, departamenti i Shkencave të të Ushqyerit, i udhëhequr nga profesoresha Maria Luz Fernandez dhe botuar në “Nutrition Research”.

Ekipi i profesoreshë Fernandez ka punuar me 21 vullnetarë meshkuj, të ndarë në 2 grupe. Grupi i parë merrte një mëngjes të pasur me proteina: 3 vezë të fërguara dhe një fetë e gjysmë buke të bardhë. Grupi i dytë: një simite, gjysmë lugë gjelle krem djathi dhe rreth 170 gram kos pa yndyrë.

Përkundër varianteve të ndryshme të ushqimeve, në dietën e dy grupeve llogaritej një numër i njëjtë i kalorive. Gjithashtu, pas mëngjesit të dy grupet shkonin në një bufe ku hanin të lirë.

Pas testit, duke vlerësuar rezultatet e ditës së parë, studiuesit kanë vënë re se grupi i parë që hante vezë në mëngjes kishte konsumuar 112 kalori më pak në drekë se grupi i dytë.

Në ditën e dytë, hendeku ishte rritur: grupi i parë në fakt kishte marrë 400 kalori më pak se grupi i dytë.

Duke analizuar organizmin e vullnetarëve, hulumtuesit kanë gjetur përqendrime të larta të hormonit të oreksit në pacientët e grupit të dytë, kjo shpjegon dhe rritjen e dëshirën e tyre për ushqim.

Fernandez thotë: “Ne kemi shqyrtuar dy mëngjese tipike amerikane dhe më pas ngrënien e ushqimit sipas oreksit. Kjo tregon se një mëngjes i pasur me proteina ndihmon në përmbajtjen e urisë. Për më tepër, studimi i kryer nuk është i pari që arrin në këto përfundime. Ekziston një numër në rritje i studimeve që mbështesin rëndësinë e proteinave të kualitetit të lartë në dietë për shëndetin në përgjithësi, dhe në veçanti rëndësinë e proteinave në mëngjes”.

Komento