Vjeshta me çizme elegante

Pasi tashmë verën e kemi pas shpine, e bashkë me të edhe sandalet, po arrin sezoni kur do kalojmë drejt në çizme, ndërkaq një numër gjithnjë e më i madh i damave mendon rreth dilemës se si t’i gjejnë çizmet e duhura, i cilat do të jenë në trend dhe do të jetë të rehatshme për këmbët e tyre, por edhe që do të kombinohen lehtë me gardërobën e tyre.

Për këtë arsye, ju ofrojmë disa modele interesante që do të mund t’i kënaqin damat dhe shijet e tyre.

Çizme prej gome për ditët me shi

Çizmet prej gome tashmë e kanë gjetur pjesën e duhur në dollapët tanë, e kështu do të jetë edhe këtë vjeshtë. Disenjatorët janë munduar që për vjeshtën e vitit 2011 të paraqesin modele të gjata në shumë ngjyra, të cilat mund t’i kombinoni me gardërobën tuaj. Këto çizme mund të jenë pjesë e kombinimit gjatë daljes në mbrëmje, sidomos për ato femra që nuk kanë frikë nga eksperimentimi.

Hapat “tufa-tufa”

Të buta dhe të rehatshme, çizmet e tilla e ofrojnë ndjenjën se jeni duke ecur mbi re, përderisa shputat qëndrojnë të ngrohta dhe të thata. Gjatë këtij sezoni disenjatorët ju sugjerojnë t’i kombinoni me dollakë të trasha, më pas me xhinse të ngushta dhe bluza të gjëra.

Stili “Etno” përsëri “IN”

Edhe pse tashmë kanë kaluar disa sezone dhe kishin mbetur anash, disenjatorët përsëri e kanë sjellë stilin etno, stil ky i cili, pos se në çizme, do të jetë i pranishëm edhe në çanta, kapela dhe doreza. Gjatë vjeshtës, modelet e rrafshëta me detaje lara-lara do të jenë “IN”, e po ashtu ato me ngjyrë metalike. Kjo do të thotë se u janë ofruar shumë modele, e në të njëjtën kohë do të jeni në trend dhe do të jeni të ngrohtë.